Kreu i tanishëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e përshkroi Annanin si një forcë udhëheqëse e së mirës. Në shumë drejtime, Kofi Annan ishte një përfaqësues i denjë i Kombeve të Basshkuara.
Presidenti i Ganës, Nana Akufo-Addo njoftoi se në vendin e tij do të mbahet një javë zi kombëtare “për njërin prej patriotëve tanë më të mëdhenj”. Ai tha se “Annan besonte fuqishëm tek kapaciteti i ganezëve për ta çuar vendin drejt rrugës së përparimit dhe begatisë”.
Barack Obama tha se “Annan ishte një diplomat dhe humanitar që mishëronte misionin e Kombeve të Bashkuara, si shumë pak të tjerë”. Ish-presidenti amerikan, tha se “edhe pas një kohe të gjatë pas thyerjes së barrierave, Kofi nuk i pushoi kurrë përpjekjet e tij për një botë më të mirë dhe i kushtonte kohë motivimin dhe frymëzimit të brezit të ri të udhëheqësve”.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se “Annan ja kushtoi jetën përpjekjeve për ta bërë botën një vend me paqe dhe u përpoq pa pushim të mbronte dinjitetin e çdo qenieje njerëzore”.
Presidenti i Bashkimit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se “mirënjohja më e madhe që ne mund t’i ofrojmë Kofi Annanit, është duke e ruajtur gjallë legjitimitetin e tij”. Ai shtoi se Annan “luftoi për t’i dhënë fund padrejtësive në mbarë botën dhe ndihmoi për rindërtimin e urave atje ku ato ishin prishur”.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara, Zeid Ra’ad al-Hussein, tha se “Kofi ishte shembulli më i mirë për njerëzimin, mishërimi i mirësjelljes dhe i elegancës në sjellje. Në botën ku ne jetojmë, të mbushur me udhëheqës, që janë shumë larg këtij modeli, humbja jonë dhe e të gjithë botës bëhet më e dhimbshme se kurrë”, tha al-Hussein. /KP /Telegrafi/