Telegrafi

Liburni – Liqeni, finalja e Kupës së Kosovës në futsall

Liburni nga Gjakova dhe Liqeni nga Drenasi janë dy skuadrat finaliste të Kupës së Kosovës në futsall.

Liburni qysh në ndeshjen e parë e kishte zgjidhur çështjen e kualifikimit, pasi e kishte mposhtur BB Llapin në Podujevë, me rezultat 7-2.

Në ndeshjen e kthimit luajti me komoditet, duke shënuar fitore me rezultat 3-1.

Ndërkohë, shumë më interesante ishte përballja në kryeqytet ndërmjet Prishtinës dhe Liqenit, ku skuadra nga Drenasi arriti ta përmbysë epërsinë e prishtinasve nga ndeshja e parë (4-5), duke fituar me rezultat 4-2.

Ndeshja finale e kësaj gare do të zhvillohet në muajin prill në kryeqytet.