Telegrafi

Liburn Aliu i quan të pavërteta lajmet se KFOR-i ia ka ndaluar ta takojë kryetarin e Leposaviqit

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka demantuar lajmin e publikuar në disa media se kinse KFOR-i ia ka ndaluar atij të shkojë ta takojë kryetarin e Komunës së Leposaviqit.

Aliu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Lajmet e publikuar se KFOR-i, më ka ndaluar që ta takoj Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, z. Lulzim Hetemi, janë të pavërteta”.

“Përkundrazi, KFOR-i na kanë ofruar siguri, me një njësit të tyre që e kanë dërguar pikërisht për këtë qëllim. Në fakt, ka qenë udhëzimi i Policisë së Kosovës që mos të vazhdojmë më tutje, me qëllim që të shmangim tensionimin e situatës nga bandat kriminale që silleshin përreth”, ka shkruar Aliu, transmeton Telegrafi.

“Spekulimet e tilla, iu shkojnë për shtati vetëm bandave që janë të instaluara aty, njëherit këto lajme të pavërteta po ashtu po e zhvlerësojnë punën e palodhshme dhe profesionale që Policia e Kosovës po e bën atje”.

“E falënderoj Kryetarin Lulzim Hetemi, për qëndresën e tij shembullore për Republikë, rend e ligj”, ka shkruar ai. /Telegrafi/