Site icon Telegrafi

Libri i përgjakur i kujtesës së Kosovës

Të kujtojmë! Kujtesa s’është vetëm e së shkuarës, por po aq shumë edhe e së ardhmes. Ne jemi ajo që kujtojmë, e them shpesh këtë varg të një poeti të madh. Dhe, u mblodhëm për të kujtuar. Të shtunën në mbrëmje në Çikago, në lokalin “North Star” në Western, kështu ishte adresa në pllakatin e takimit, dera hapej shpesh dhe futeshin njerëz që përshëndeteshin përzemërsisht, njiheshin apo ia paraqisnin njëri-tjetrit. Salla po mbushej, jemi shqiptarë nga të gjitha trevat, po thoshin, më së shumti nga Kosova, edhe nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut (e Jugut për ne), nga Mali i Zi etj. dhe çfarë do marrësh, kafe, i thoshin njëri-tjetrit, të gatshëm për t’i shërbyer njëri-tjetrit, me mirësi dhe zhurmë.

Në krye ishin mbërthyer flamujt, ai shqiptar dhe ai i ShBA-së, bashkë, kështu ishin dhe në luftë për çlirimin e Kosovës, UÇK dhe NATO, tha një burrë i gjatë, malësor i veshur qytetarçe.

Sonte, tani, do të përurohej një libër, madje i madh, i rëndë, ja, po vinin në tryezën përballë kopje të shumta të tij “The Terror of Serbian Occupier Over Albanians” dhe pranë një libër tjetër i vogël, xhepi, si vëllai i vogël, i shpërndarë gjithandej, “Never Forget”.

Kishin ftuar dhe autorin. Nusret Pllana, shkruhej mbi pllakat, vinte nga Kosova. Kaq befas?

Mua më lajmëroi Taip Beshiri, trajner futbolli, banon afër meje si lagje, është nga shqiptarët e Maqedonisë. Në Facebook-un e tij kishin parë një foto të tij bashkë me mua dhe i kishin telefonuar, që të më thoshte për të marrë pjesë në takim, sot për sot. Tamam vrull i bukur shqiptarësh, i orëve të fundit, me bashkëshortet tona nisemi për të mbërritur në orar.

Takohemi përzemërsisht me autorin, edhe në Romë. Vite më parë në universitetin “La Sapienza” kishim bërë një takim që të tregonim për luftën e Kosovës, qëndresën dhe martirizimin. Ishte bashkë me Dom Lush Gjergjin. Kujtuam që ambasadori serb në Itali atëherë kishte bërë një letër proteste në universitet, se pse ky takim?! Serbia, pasi kishte mbaruar rolin e saj si pushtuese, duke ushtruar një gjenocid të paparë ndër shqiptarët në trojet e tyre, po bënte tani rolin e viktimës.

Këto dëshmonin dhe librat e Nusret Pllanës, këta që janë këtu, para nesh. Takimin e hapi Avni Thaçi, mjek në Çikago, bujtësi i autorit që i uroi mirëseardhjen atij dhe gjithë të pranishmëve. Fliste thjesht, me druajtjen e atij që e vlerëson fjalën dhe ma jep mua fjalën si “njeri i letrave”

Kemi një vepër kujtese, me rëndësi të madhe, thashë unë; e njoh librin, edhe autorin, jemi bashkëvuajtës; ai ka qenë i dënuar nga regjimi i Millosheviqit në lëvizjet patriotike shqiptare në ish-Jugosllavi dhe unë në diktaturën enveriste, por që qendër duket se kanë Kremlinin e Stalinit …

Ky libër dëshmon masakrën serbe, atë që përfshin një shekull e gjysmë kohë, 1844-1999. Së fundmi, por jo e fundit në botë, po përsëritet tani në shekullin XXI në vend tjetër e popull tjetër, në Ukrainë nga ushtria ruse.

Nusret Pllana pas luftës la uniformën e UÇK-së, la armën dhe mori penën. Edhe ajo është armë, më e fortë. Besa po, ka fuqinë e së përhershmes. Të shumta janë botimet e tij dhe përurimet në shumë vende të Evropës. Një kronikë e përgjakur, tronditëse me emra dhe imazhe të llahtarshme. Të mos harrojmë, për një të ardhme njerëzore, të përbashkët, euroatlantike të vendeve tona në Ballkan.

Libri është shkruar me gjak. Është një korale e zërave shqiptarë, që e ndiejmë dhe tani kushtrimin e Adem Jasharit dhe mençurinë e të urtit Ibrahim Rugova, Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, por dhe lutjet e Shenjtës sonë Nënë Tereza që i tha presidentit të ShBA-së, Bill Clintonit: “Bir, ndihmoje popullin tim”.

Që ky libër përurohet dhe në metropolin e Çikagos mes shqiptarëve, e quaj me domethënie, mirënjohje ShBA-së për çlirimin e Kosovës, përkrahja e së cilës ka qenë jetike për kombin shqiptar. Ka ndërhyrë për të mos lejuar edhe më copëtimin e Shqipërisë londineze, siç është bërë zakon të quhet nga studiuesit. Me Amerikën shqiptarët kanë aleatin më të fuqishëm dhe mbrojtësin e idealeve të çështjes kombëtare etj. Foli dhe një inxhinier kompjuterësh nga Kosova, ish-luftëtar i UÇK-së, Labinot Maloku. Pastaj iu dha fjala autorit, prof. dr. Nusret Pllana. Librin nuk e kam shkruar unë, tha ai ndër të tjera, e kanë shkruar shqiptarët; të gjithë ata që janë në këtë libër, kronika e masakrës së tyre, e mbi 1400 fëmijëve të vrarë, engjëj mbrojtës të Kosovës. “Never forget” e kam shkruar së bashku me Agim Aliçkajn, e përuruam dhe në “Vatra”; ishte shumë emocionuese, po kështu na pritën dhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Washingron D.C.; e dhuruam librin dhe atje, dhamë dhe intervistë në “Zërin e Amerikës” e do të shkojmë dhe në Boston e pastaj në Kanada … Por, askush nuk erdhi nga ambasadat tona apo konsullatat, e Kosovës dhe e Shqipërisë: pse ky moskujdes, pse kjo harresë? Kujt i shërben?  -pyeti i dëshpëruar autori.

Ambasadorët e vërtetë janë gjithë këta shqiptarë këtu – thashë unë. Duartrokitje të shumta në mbarim të takimit, pasi u shfaq dhe një dokumentar për fëmijët e vrarë të Kosovës, por është ëndrra e tyre, buzëqeshja e tyre është kudo, thamë.

Vonë morëm rrugën e kthimit. Dritat në rrugët e gjera të rrethinave të Çikagos kishin një vezullim, që mua më kujtonin diçka nga plagë. Plagët e popujve bëjnë dritë, thashë me zë. Never forget! Edhe të kujtuarit është kulturë, që vendet e kulturuara kanë institucionet e saj, me rendësi të dorës së parë. arkiva e shtetit, biblioteka, akademi, muzeume, institute, katedra, tempujt e besimit, shoqata, vepra arti, statuja, teatër, përkujtimore, kuvende, tubime, homazhe, kronika, kujtesë të institucionalizuar etj., dhe mbi të gjitha libra, libra pafund. Ne, shqiptarët jemi disi spontanë me kujtesën kolektive, edhe emotivë disi, natyrisht të dhembshur dhe dinjitozë patjetër, por sikur kemi më të institucionalizuar harresën. Pse? Ku janë shoqatat tona këtu, po ambasadat?

Promovimi i librit të plagëve të Kosovës ishte vërtet prekës, pa akademi, i sinqertë, i thjeshtë, serioz, por gati spontan – një dëshirë e disa shqiptarëve të mirë, por jashtë axhendave të atyre do t’u takonte një veprimtari kësisoj, kulturore dhe shtetërore. Që gjërat të kenë vlerën që meritojnë dhe peshën e duhur, s’është fjala thjesht për publicitet dhe jehonë. Po për kujtesën kolektive, që forcon të kaluarën për një të ardhme më të mirë, e thamë dhe atje. Po edhe për kulturë, që të pasurojmë të përditshmen së bashku. Dhe, të mos mbetet “midis nesh”, një grushti shqiptarësh, por t’u tregohet dhe të tjerëve, në bashkëpunim si një shkëmbim përvojash dhe kulturash.

Kur po i afrohesha shtëpisë, m’u kujtua porosia e Papa Françeskut që u dha shqiptarëve, kur erdhi në Tiranë: “Mos harroni plagët dhe folenë!”. Plagët – si popull i vuajtur; folenë – si zogj shqiponjash. Dhe sikur ngjajnë, plagët janë fole plot me kujtesë dhe foleja është një plagë e bukur jete …

Exit mobile version