Site icon Telegrafi

Libri i pashkruar i Petro Markos

Nga: Lazër Stani

Dy ose tri javë nuk e takova më Petron (Marko) edhe pse dilja pothuajse çdo mbrëmje nga Kafeneja e Gazetarëve. Nuk e pashë as në bulevard, ku bënte shëtitjen e tij të zakonshme. Mendova i shqetësuar se mos ishte i sëmurë, por aty për aty e ngushëllova veten: ndoshta është ulur e po shkruan, mendova. Kur e pashë një të shtunë në bulevard, më mbetën sytë te kaçurrelat e thinjur e të pakrehur. Palltoja që mbante veshur m’u duk më e vjetër se kurrë. I lodhur, i drobitur, hapat i hidhte ngadalë, po trupin e mbante drejt dhe nuk shihte as majtas as djathtas.

Nuk pata guxim t’i flisja. M’u duk sikur do t’ia prishja atë udhëtim të vetmuar drejt askundi. Shkova dhe u ula në kafene, duke pritur se mos kthehej aty dhe ai me të vërtetë u kthye. U ngrita në këmbë sapo u fut në kafe dhe e përshëndeta. Erdhi drejt meje dhe më përqafoi si një bir të humbur. U ul në kolltukun e vjetër, ndërsa unë i bëra shenjë vajzës që t’i sillte kafenë. “Lazër, nuk e marr vesh njeriun”, më tha. Humbi në mendime, pastaj nxori paketën dhe ndezi një cigare. Unë në atë kohë nuk e pija duhanin. Ndiqja me sy currilin e hollë të tymit që dilte nga cigarja, bënte disa spërdredhje të mundimshme në ajrin e ndenjur dhe humbiste në asgjë. “Si jetët tona”, mendova.

“Dua të shkruaj një roman” më tha. “Retë dhe gurët. Gurët nuk lëvizin, qëndrojnë aty ku ishin përjetësisht, ndërsa retë vijnë dhe shkojnë, ikin dhe kthehen, duke derdhur lotët e të ikurve në gjollat e gurëve …”!

Kapi mjekrën me dorën e majtë dhe e shtrëngoi mes gishtërinjve. “Ja”, tha, “ta zëmë se janë dy vëllezër: njëri sa rritet merr rrugët e botës, ia mbath nga sytë këmbët, u bie kryq e tërthor shteteve, shkollohet, dashuron, harbon, kurse vëllai tjetër nuk shkulet nga fshati, kullot bagëtitë në mal, punon tokën, mban nënën dhe familjen. Po çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, sytë i shkojnë nga deti, sheh renë që vjen prej andej, sjell shiun që derdhet mbi gurë. Atij ky shi i ngjan me lotët e dhimbjes së vëllait mërgimtar. Po jeta e cilit vëlla ka më kuptim? Nuk e marr vesh. Gjithmonë, edhe kam dashur edhe të ik edhe të rri …”!

U kthye nga unë dhe më pyeti se a shkruaja. “Shkruaj”, i thashë, “po nuk kam botuar asnjë gjë. Dhe, nuk besoj se do m’i botojnë ndonjëherë”. “Shkruaj”, tha, “shkruaj sa të mundesh. Unë nuk kam shkruar as pesë për qind të atyre që kam menduar”. I shqiptoi këto fjalë me një zë të shuar, të pikëlluar, të pashpresë, sikur pas këtyre fjalëve pritej shkatërrimi, rrënimi, asgjëja.

“Na thuaj ndonjë gjë për të qeshur”, m’u drejtua papritmas. Dhe unë i tregova historinë e sekretarit të parë dhe të kurvës që kërkonte shtëpi, që e kisha dëgjuar ato ditë. Qeshëm të dy, por Petro më fort. “I zgjuar kopili”, tha dhe vazhdonte të qeshte.

Pasi u ndamë, unë mendjen e kisha te librat e tij të pashkruar, librat që do të mbeteshin përjetësisht të mbyllur në kafkën e tij. I imagjinoja në radhë njëri pas tjetrit, të vendosur në bibliotekën time; të rinj, të sapodalë nga shtypi, me kundërmimin e fortë të letrës. A do t’i shkruante ndonjëherë ata libra, a do t’i lexoja unë ndonjëherë?! E dija se në atë moshë që ishte, nuk do t’ia dilte kurrë t’i shkruante, por të paktën atë romanin Retë dhe gurët, kisha përshtypjen se do ta lexoja ndonjë ditë. Ai me siguri po shkruante këtë roman, mendoja. Aty për aty u kujtova për të gjithë librat e mi që kisha në kokë dhe me marrëzinë e një të riu; mendova i ngazëllyer se kisha gjithë kohën e botës për t’i shkruar. Atëkohë nuk e dija se shkrimtari nuk arrin ta shkruajë kurrë librin e tij më të mirë dhe ai, libri më i mirë, si një vrimë e zezë gëlltit edhe shumë libra të tjerë rreth vetes. Librat më të mirë të shkrimtarit mbeten gjithmonë të pashkruar, misteret më të thella të pashprehura, ndjenjat më intime të ngujuara.

Kur u botuan kujtimet e Petros, pas vdekjes, nxitova të shkoj në librari e ta blej, sepse mbi kopertinë ishte dhe titulli i romanit të munguar Retë dhe gurët. Ishte një intervistë e gjatë, me vetveten, një rrëfim për të tria kohët e jetës së tij, por jo libri i pashkruar i Petro Markos. Shkrimtari librin më të mirë të tij, atë të pashkruarin e kishte marrë me vete, si një libër të mbyllur që ne nuk do ta lexonim kurrë.

Exit mobile version