Nga: Daut Dauti
Libri i Averroes (Ibn Rushdit), në arabisht me titullin Tahafut Al-Tahafut kurse në anglisht The Incoherence of the Incoherence – në shqip mund të përkthehet si Pandërlidhja e pandërlidhësisë ose Palidhja e palidhësisë” 0 është ndër veprat themelore të filozofisë, teologjisë dhe historisë së këtyre lëmenjve. Averroesi në këtë vepër grandioze debaton me Al-Gazalin duke e angazhuar arsyeshmërinë e bazuar në filozofinë e Aristotelit. Al-Gazali bazohet në teologji, e cila e refuzon arsyen e Aristotelit të transmetuar dhe përpunuar nga Averroesi. Në botën islame ka dominuar aspekti teologjik i Al-Gazalit. Sikur të dominonte ai i Averroes, bota islame sot me siguri do të ishte ndryshe pasi që do të aplikohej parimi i arsyeshmërisë edhe para Zotit. Ky libër ka ushtruar ndikim të madh në literaturën e Perëndimit ku është përkthyer në latinisht në Mesjetë e më vonë në gjuhë të tjera. Sikur të ishte përkthyer edhe në shqip, shqiptarët ndoshta do ta kishin lexuar dhe do ta kishin shumë më të lehtë kuptimin e filozofisë, por edhe të fesë islame që sot qëndron si i mjegulluar.
Pra, Al-Gazali e refuzon arsyeshmërinë duke e potencuar dallimin e ash’aritëve dhe mu’tazilitëve në lidhje me konceptin e Zotit. Ky është citati i Al-Gazalit dhe një pjesë e shtuar nga parathënia e librit të botuar në anglisht nga Simon Van Den Berg, ku shihet esenca e besimit në Zot dhe dallimi i spjegimit mes teologjisë dhe filozofisë (arsyes):
Ta imagjinojmë një fëmijë dhe një të rritur në Parajsë. Që të dy kanë vdekur si besimtarë të plotë, por i rrituri ka vend më të lartë sesa fëmija. Dhe, fëmija e pyet Zotin “Pse atij njeriut i ke dhënë vend më të lartë”? Dhe Zoti do të përgjigjej: “Për shkak se ai ka bërë shumë punë të mira”. Pastaj fëmija thotë: ”Pse ke lejuar që unë të vdes kaq herët dhe me këtë më ke parandaluar që të bëjë vepra të mira”? Zoti do të përgjigjej: “Sepse e dija se kur të rritesh do të bëhesh mëkatar, prandaj ka qenë më mirë të vdesësh si fëmijë”. Pastaj, nga të dënuarit e mallkuar dëgjohet britma nga thellësia e Ferrit: “Pse, o Zot, nuk ke lejuar që edhe ne të vdesim para se të bëheshim mëkatarë:?
Kësaj Al-Gazali ia shton këtë thënie:
Vendimi i pakuptueshëm i Zotit nuk mund të matet me peshojën e arsyes dhe me mu’talizmin.
Pastaj, po ashtu në parathënie jepen edhe këto detaje të shkëputura, si më poshtë:
Mund të thuhet se Santa Maria sopra Minerva është simbol i kulturës evropiane, por nuk duhet të harrohet se xhamia është ndërtuar mbi tempullin grek […] Periudha madhështore e përkthimeve nga greqishtja në arabisht, kryesisht nga ndërmjetësuesit sirianë të krishterë, ka qenë nga vitet 750 deri në 850, por edhe para kësaj kohe ka ekzistuar një ndikimi ideve greke në teologjinë muhamedane. Teologët e parë spekulativë në Islam janë quajtur mu’tazilitë (nga viti 723), nga greqishtja […]
Kulmi i filozofisë islame ka qenë në shekujt X dhe XI. Kjo, gjithashtu, ka qenë edhe epoka e teologëve të mëdhenj. Kanë qenë idetë greke, që janë marrë pjesërisht nga stoikët dhe skeptikët e të cilat teologët provuan t’i rrëzonin idetë e filozofëve. Filozofët, vetvetiu kanë qenë përcjellës të Aristotelit, siç janë parë me sytë e komentuesve neoplatonik.
Në kacafytjet në Islam ndërmjet filozofisë dhe teologjisë, filozofia është mundur kurse grushti vendimtar i është dhënë nga sulmi i Al-Gazalit që në esencë është e inkorporuar në librin e Averroes të cilin ai provon ta zhvlerësojë.
Al-Gazali, i cili ka lindur në mesin e shekullit XI, është njëri nga figurat më markante dhe në të njëjtën kohë tejet enigmatike në islam. Sikur Shën Augustini, me të cilin ai shpeshherë krahasohet, ai na tregon në autobiografinë e tij se si është dashur ta kalojë një periudhë dëshpërimi dhe skepticizmi, derisa Zoti i kishte dhënë paqe dhe siguri, jo përmes demonstrimit, por përmes dritës së Tij të mëshirshme. Megjithatë, ai nuk është vetëm mistik, por edhe dogmat e moralist i madh.
Averroesi është filozofi i fundit i madh në islam në shekulli XII dhe po ashtu shkollari dhe komentuesi i skrupullt i Aristotelit. Ai është shumë më i njohur në Evropë sesa në Orient ku disa vepra të tija janë ende në ekzistencë dhe ku nuk kishte influencë, por ishte filozof i madh i kulturës së tij. Renani, i cili e ka shkruar një libër të madh për të, Averroes et l’ Averrisme, kurrë nuk kishte parë ndonjë rresht të shkruar nga ai në arabisht. Së voni, disa nga veprat e tija janë redaktuar në arabisht, si p. sh. Tahafut al Tahafut, në mënyrën më shembullore. Influenca e Averroes në mendimin evropian të Mesjetës dhe Renesancës ka qenë tejet e madhe. /Telegrafi/