Të fundit libër që kishte në duar, para se të ndërronte jetë dhe të varrosej sipas amanetit në Theth, ishte ai për bektashinjtë shqiptarë.
“Ky vëllim i kushtohet rendit të dervishëve bektashianë në Shqipëri dhe rolit të tij në historinë shqiptare. Merret vetëm përciptazi me bektashinjtë e Turqisë dhe gjetkë, për të cilët tashmë është shkruar shumë, edhe pse kryesisht në turqisht”, shkruante studiuesi dhe albanologu Robert Elsie, në parathënien e librit “Bektashinjtë shqiptarë”, i botuar ditëve të fundit.
Jo vetëm kërkime në arkiva, por edhe udhëtime në vendet e kultit bektashian, në teqe, tyrbe e faltore.
“Një fjalë falënderimi duhet t’u thuhet edhe shumë njerëzve të thjeshtë bektashianë në malet e jugut të Shqipërisë që treguan mikpritje të madhe gjatë udhëtimeve të mia. Shumë prej tyre ishin në gjendje të sigurojnë shumë më shumë informacion mbi historinë lokale dhe faltoret se sa që kishim menduar”, shkruante studiuesi i lindur në Kanada.
I ndarë në katër seksioni libri sjell një përmbledhje e historisë dhe kulturës së bektashinjve shqiptarë, që shërben fillimisht si hyrje në lëndën me një informacion që synon të përmbushë edhe kërkesat e lexuesit “jo mesatar”. Seksioni i dytë është më i gjatë dhe paraqet një larmi shkrimesh mbi bektashinjtë shqiptarë nga udhëtarët e hershëm dhe studiuesit e shquar.
Aty janë të përfshirë artikuj të rëndësishëm që u qasen studimeve për bektashinjtë nga këndvështrime të ndryshme. Seksioni i tretë ofron një Katalog të gjerë të teqeve kryesore dhe tyrbeve të bektashinjve shqiptarë, të dhëna në mënyrë alfabetike sipas emrit të vendit, me informacione historike për origjinën, zhvillimin dhe rëndësinë.
“Katalogu nuk është aspak shterues pasi ka shumë faltore të vogla dhe teqe që nuk janë përfshirë këtu për shkak të mungesës së informacionit rreth tyre”, thotë Elsie.
Seksioni i katërt i këtij libri është një katalog i figurave më të shquara historike dhe legjendare të bektashinjve shqiptarë. Përsëri, të dhënat biografike për disa nga këto figura është i paktë, por ne kemi dhënë këtu atë që mund të mblidhet.
“Korpusi kryesor i librit është rrumbullakuar me një fjalor të termave dhe një bibliografi për t’ia mundësuar lexuesit të interesuar që të ndjekë studime të mëtutjeshme në këtë fushë, nëse ai apo ajo dëshiron”, shpresonte Elsie.
Ndonëse është shkruar shumë për bektashinjtë në Turqi, pak është botuar për degën shqiptare të sektit. Robert Elsie shqyrton historinë dhe kulturën e bektashinjve, analizon shkrimet për rendin nga udhëtarët e hershëm në rajon si Margaret Hasluck dhe Sir Arthur Evans.
Botuar fillimisht në gjuhën angleze, libri vjen në shqip i përkthyer nga Gëzim Aliu dhe shtëpia botuese “Artini”, duke dalë në librari në një datë simbolike për bektashinjtë – 20 tetori që shënoi edhe 120 vjetorin e vdekjes së poetit Naim Frashëri.
“Rendi bektashian, me besimet dhe praktikat e tij të dallueshme islamike, ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve. Kushdo që e studion atë histori, duhet t’i studiojë bektashinjtë dhe anasjelltas”, shkruan studiuesi Sir Noel Malcolm, ndërsa e cilëson vëllim të domosdoshëm librin e fundit të Elsie-t. “Kthjelltësia e mençur dhe dija enciklopedike janë shenjat dalluese të saj, siç janë edhe të të gjitha veprave të tjera të tij”.
Elsie, i cili dha kontributin e tij në albanologji me dhjetëra vepra, u nda nga jeta më 2017-n, në moshën 67- vjeçare nga një sëmundje e rrallë.
Ai u varros në alpet shqiptare, i veshur me kostum popullor, ashtu siç kishte dashur. /GazetaSI/