Site icon Telegrafi

Libri biografik për Thaçin do të botohet në shkurt, në muajin e pavarësisë

Libri biografik për Presidentin e vendit, Hashim Thaçi, i cili ka shkaktuar debate në Kosovë, është në prag të botimit.

I shkruar nga dy gazetarë të famshëm britanikë, Roger Boyes dhe Suzy Jagger, me titullin “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography”, me rreth 320 faqe, ai pritet të botohet në muajin shkurt.

Në një intervistë të shkurtër për KosovaPress, presidenti Thaçi pohon se i ka autorizuar intervistat, të cilat i ka dhënë me kërkesë të autorëve, porse nuk ka ide se çfarë përmban libri në tërësi.

Presidenti Thaçi ka thënë se këto intervista kishin të bënin me jetën e tij private dhe publike, që nga lindja deri në ditët e sotme.

Është paralajmëruar publikimi i një libri biografik për juve president, nga autorë të famshëm britanikë. Kur do të dalë ky libër dhe çfarë përmban?

Thaçi: Nuk kam ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë me botuesin. Ajo që më është thënë është se libri do të botohet në muajin shkurt. Libri është i autorëve dhe jo i imi. Unë kam autorizuar intervistat të cilat i kam dhënë me kërkesë të autorëve, por nuk kam ndonjë ide se çfarë përmban libri në tërësi.

Çfarë jeni pyetur në këto intervista të autorëve të librit?

Thaçi: Intervistat janë një përmbledhje i jetës sime private dhe publike, që nga lindja deri në ditët e sotme. Pra, nga vitet e fëmijërisë në Burojë e deri tek inaugurimi si president i vendit, duke përfshirë edhe sfidat e fundit me të cilat po ballafaqohemi si shtet.

Libri po promovohet në Amazona tash e disa muaj, a e dini sa kopje janë shitur?

Thaçi: Këto çështje as nuk i di, as nuk kam pyetur. Janë çështje midis botuesit dhe autorëve. Shpresoj të ngjallë interesim tek lexuesit e interesuar në zhvillimet ballkanike, por më është thënë se lansimi i librit do të bëhet në Londër, Uashington dhe Bruksel gjatë muajve të ardhshëm.

Exit mobile version