Ministria e Arsimit në Shqipëri ka bërë të ditur se për vitin e ri shkollor përfitojnë libra falas nxënësit e klasave 1-7 dhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasë të 12.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinis, Besa Shahini Nëpërmjet një postimi në rrjetin e saj social Facebook, ka njoftuar për zgjerimin e skemës mbështetëse për shpërndarjen e librave falas për nxënësit e vitit të shkollor 2020-2021.
Përkundër presionit financiar nga tërmeti i vitit të kaluar dhe pandemia e COVID-19, Ministrja Shahini tha “këtë vit kemi zgjeruar skemën mbështetëse të librave falas, me përfitues direkt nxënësit e klasave 1-7 dhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasë të 12-të”.
“Kjo skemë mbështetëse nga buxheti i shtetit prej 800 milion lekësh u vjen në ndihmë direkt mbi 250 mijë nxënësve përfitues në të gjithë vendin, duke ulur koston financiare të familjeve shqiptare dhe përmirësuar gjithashtu qasjen e nxënësve në arsim, veçanërisht nxënësve romë dhe egjiptianë, të cilët kanë një rrezikshmëri më të lartë të braktisjes së shkollës së mesme”. /Telegrafi/