Najla al-Mangoush është “pezulluar përkohësisht” dhe do t’i nënshtrohet një “hetimi administrativ” nga një komision i kryesuar nga ministri i drejtësisë, tha kryeministri Abdulhamid Dbeibah të dielën në mbrëmje në një vendim zyrtar të postuar në Facebook.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Ministria e Jashtme libiane e përshkroi atë si një “takim të rastësishëm dhe jozyrtar”, por lajmet për takimin kishin çuar tashmë në protesta në rrugë në disa qytete libiane.
“Sherri politik” shpërtheu të dielën pasi ministria e jashtme e Izraelit tha se ministrat e jashtëm të dy vendeve ishin takuar javën e kaluar.
Në deklaratë thuhet se ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen dhe Mangoush, homologu i tij libian në administratën me bazë në Tripoli, folën në një takim në Romë të organizuar nga Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani.
Deklarata izraelite e cilësoi atë si nismën e parë të tillë diplomatike midis dy vendeve.
“Kam folur me ministren e Jashtme për potencialin e madh të marrëdhënieve të dy vendeve”, tha Cohen në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Izraelit.
Por ministria e jashtme libiane tha të dielën në mbrëmje se Mangoush kishte “refuzuar të takohej me nfonjë palë” që përfaqësonte Izraelin.
“Ajo që ndodhi në Romë ishte një takim i rastësishëm dhe jozyrtar, gjatë një takimi me homologun italian, i cili nuk përfshiu asnjë diskutim, marrëveshje apo konsultim”, tha ministria në një deklaratë.
Ministrja kishte përsëritur “në mënyrë të qartë qëndrimin e Libisë në lidhje me çështjen palestineze”, shtohej në deklaratë.
Ndryshe, lajmi për takimin kishte ngjallur protesta në disa qytete libiane dhe një letër kishte ardhur nga Këshilli Presidencial i vendit ku kërkonte sqarime.
Ministria e Jashtme libiane akuzoi Izraelin se po përpiqej ta “paraqiste këtë incident” si një “takim ose bisedime”. /Telegrafi/