Site icon Telegrafi

Libia ndalon marinarët shqiptarë për transport të paligjshëm mallrash

Një anije tregtare shqiptare e nisur drejt Maltës është ndaluar nga marina ushtarake e Libisë nën akuzën për transport të paligjshëm mallrash.

Lajmi u publikua këtë të shtunë në buletinin e Rojes Bregdetare vendase. Mbrëmjen e kaluar anija “Envi 1”, me flamur panamez e pronar shqiptar ishte nisur nga porti i Zuaras, 110 kilometra larg Tripolit me destinacion Maltën.

Në lundrim e sipër, anija është kapur nga autoritetet ushtarake bregdetare të Libisë, të cilat e kanë detyruar anijen të ankorohet pranë një tjetër porti, atij të Zauya-s, një port kryesisht karburantesh, që ndodhet 50 kilometra në perëndim të Tripolit.

Sipas njoftimit, anija shqiptare e drejtuar nga kapiteni malazez Marko Markoviç u ndalua pas dyshimeve për transport të paligjshëm të materialeve të ndërtimit, përfshirë edhe rërën.

Në përbërje të ekuipazhit prej 8 antarësh ndodhen edhe 5 marinarët shqiptarë, Maliq Bushati, Avni Buzi, Artur Selimaj, Xhodet Çelaj dhe Jurgen Balla.

Përveç kapitenit dhe dy drejtuesit e tjerë, oficeri i parë dhe i dytë i anijes janë shtetas malazezë.

Burime nga kapiteneria e Portit të Durrësit bënë të ditur se kjo anije ishte nisur bosh më 5 shtator nga porti detar i Durrësit drejt Portit të Zuaras në Libi ku dhe u kap, ndërsa fati i marinarëve mbetet ende i paqartë në një vend ku konfliktet e brendshme janë të ashpra.

Ndërkohë, nga Ministria e Europës dhe e Punëve të Jashtme deklarojnë se janë vënë menjëherë në lëvizje sapo janë informuar përmes njoftimit për shtyp të dhënë nga Porti i Durrësit.

Burime nga kjo ministri thonë se ka nisur interesimi përmes Ambasadës Shqiptare në Kajro, që mbulon edhe Libinë, por edhe përmes ambasadës libiane në Tiranë.

Exit mobile version