Site icon Telegrafi

Liberalizmi në praktikë dhe në Kosovë

Rreziku ekzistencial dhe afatgjatë për Kosovën është objektiva e Beogradit kundër shtetësisë së saj e cila tenton të kthej progresin mbrapa, ndaj e përçajë, e përfundimisht të mos lëshoj pe nga ky vend. Si rezultat, objektiva qendrore e Kosovës duhet te jetë ndryshimi i kësaj politike shkatërruese. Në Prishtinën zyrtare, taktikë luftuese e këtij fenomeni është bërë integrimi në institucionet euroatlantike. Normal që kjo duhet mbetur prej gjërave kyçe për tu arritur. Por, nuk kalohet në katin e dytë pa e tejkaluar të parin. Ky qëllim i Qeverisë i shprehur si destinacion ultimatum, si vizion, është vetëm se largim vëmendjeje nga rreziku i vërtetë, jo përballje me të.

Nga pikëpamja më naive mund të blihet si shpresë dhe besim në konceptin dhe teorinë liberale se integrimi në vetvete zhdukë rrezikun duke krijuar ndërlidhjen e shteteve në njëra tjetrën përmes një rrjet – sistemi demokratik. Këtu bazohet liberalizmi ndërkombëtar. Edhe Qeveria e Kosovës pretendon ta ketë adaptuar këtë pikëpamje si shtyllë të politikës së jashtme. Kur analizojmë se si funksionon teoria në praktikë dhe e krahasojmë atë me mënyrën si është adaptuar në Prishtinë, shohim se në mes ka një vakum qe thërret për rishqyrtim të këtij modeli.

Liberalizmi institucional si sistem është alternativë e realpolitikes që kalkulon gjërat sipas logjikës plus/minus mes shteteve, ku përfitimi për njërin doemos nënkupton humbje për tjetrin. Këndvështrim që ka sjellë me vete mjaftë dëme, pa siguri dhe mosbesim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Realpolitika është pjesë e paradajmit më të gjerë të realizmit dhe si e tillë nuk reprezenton të tërën që përmban ajo shkollë. Realizmi e sheh botën më shumë se si është se sa siç duhet të jetë.

Realistët vënë interesin kombëtar mbi çdo tjetër, duke u nisur nga arsyetimi se sistemi ndërkombëtar është anarkik dhe – në një ambient të tillë, siç argumenton Mearsheimer – kombet nuk kanë polici të thërrasin kur janë ne rrezik. Atëherë, secili mundohet të fitojë sa më shumë fuqi në mënyrë që të sigurojë veten nga çfarëdo intrige që mund t’i dalë nga tjerët të cilët gjithashtu, pa ndalë, punojnë për tu bërë më të fortë krahasueshmërishtë.

Lind pyetja, si arritën që evropianët, amerikanët dhe vendet tjera të adaptojnë liberalizmin dhe të largohen nga realizmi?

Qysh prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ka pasur integrim ndërkombëtar të pa përjetuar më parë dhe rivaliteti i vjetër gjerman e francez, apo edhe amerikan e anglez ndër tjera, është shndërruar në kooperim. Përgjigja është se nuk ndodhi, të paktën jo në mënyrën se si përshkruhet.

Një vështrim më i thellë në politikat e vendeve të zhvilluara na bënë të shohim se liberalizmi nuk është implementuar nga asnjëra palë si mënyrë në vetvete – pra një dimensionalisht. Kjo është bërë dhe bëhet shumëdimensionale, gjithmonë duke garantuar veten si aktor i pavarur në skenën ndërkombëtare, duke siguruar interesat esenciale që ato fillimisht nuk rrezikohen nga avancimi i politikës liberale. Duke ndjekur politikë realiste deri në përmbushjen e qëllimeve që mbrojnë interesin e shtetit, dhe pastaj duke vazhduar me eksperimentimin e teorive largpamëse dhe idealiste sikur instituticionalizmi liberal.

Joseph Nye, ish ndihmës sekretar i mbrojtjes në administratën e Clintonit, njihet për krijimin e termit “fuqia e butë” dhe është ndër figurat më të shquara që mbron teorinë e liberalizmit institucional. Ai është shpesh i cituar nga njerëzit të cilët mbrojnë këtë perspektivë. Çka do t’i çudiste adhuruesit e verbër të kësaj politike është se ai vet, si punëtor i administratës në SHBA, në rastet kur Amerika perceptonte rreziqe nga ngritja e Kinës, Nye punonte që Uashingtoni ta balanconte fuqinë duke e riafirmuar marrëdhëniet me Japoninë dhe duke ndihmuar fuqitë tjera përreth.

Kjo vazhdon të ndodh në Azi. SHBA-të mundohen të bëjnë çmos që të integrojnë Kinën e cila fuqizohet çdo ditë e më shumë në sistemin ndërkombëtar, në asi mënyre që varësia e saj në sistem ta shtyjë atë drejtë bashkëpunimit. Paralelisht, Uashingtoni përkrah me agresivitet zhvillimin ushtarak të Tajvanit, Indonezisë, Indisë dhe vendeve të tjera fqinje që të balancojnë këtë fuqi. Rrjedhimisht, kjo lloj politike del të jetë më komplekse, me realizmin si bazë, e liberalizmin mbështetje.

Alasce-Lorraine është shembull në qendër të Evropës që ilustron të njëjtën gjë: kur ka konflikt interesi mbi një çështje esenciale mes kombeve, çfarëdo lloj përmirësimi marrëdhëniesh rreth problemit që nuk e trajton atë, nuk kontribuon pozitivisht në zgjedhjen e saj. Kur Prusia kishte okupuar Alasce-Lorraine, pa marrë parasysh se sa donte Bismarck t’i përmirësonte marrëdhëniet me Francën duke u munduar ta kënaq atë në çdo sferë tjetër, problemi që kishte sjellë okupimi i territorit të saj vazhdonte të prodhonte mosbesim në të dyja palët, deri te kontributi direkt në krijimin e një ambienti ku lufta e hapur konsiderohej si diçka e domosdoshme nga secila palë.

Me fjalë të tjera, ose Franca ose Gjermania duhej të dorëzonin Alasce-Lorraine, sepse të dyja nuk mund të kishin kontroll mbi të në të njëjtën kohë. Tani, kur përmendim Bashkimin Evropian, flasim për një që është integruar pasi i ka zgjedhur ato probleme serioze, jo para. Por, edhe ne kohën e tashme, kur kanë arritur një nivel të lartë të bashkëpunimit në të gjitha aspektet, përfshirë edhe fushën e sigurisë, Franca dhe Gjermania çdo hap drejtë integrimit e bëjnë me një dozë pragmatizmi.

Me shembuj të tillë është e mbushur historia dhe e tanishmja. Anglia dhe Amerika, dy aleatë që shumicën e kohës kanë politikë të jashtme thuajse identike, jo shumë kohë më parë ishin armiq. Derisa SHBA-të kishin zhdukur prezencën e perandorive evropiane nga hemisfera perëndimore, duke ndjekur Doktrinën e Presidentit Monroe të formuluar në vitin 1823, gjendja armiqësore mbizotëronte mes dy vendeve. Para krijimit të marrëdhënieve bashkëpunuese dhe një aleance të fuqishme, ishte e nevojshme të sigurohej se nuk ekzistonin politika imperialiste mes palëve me tendenca kundër njëra tjetrës.

Një rast pas tjetrit na jep indikacione se kronologjia, rendi se si bëhen gjërat në nivelin ndërkombëtar luan rol kyç në rezultatin që pason, dhe se një miks i dy këndvështrimeve është më i sigurt se animi i verbër drejtë njërës apo tjetrës.

Të ndalemi dhe të mendojmë se çfarë skenarë të ndryshëm do të krijoheshin sikur Franca të kishte lëshuar pe ndaj Bismarkut, Amerika të kishte lejuar dominimin anglez në hemisferën e Amerikës veriore, dhe sot SHBA-të të bënin kompromis me Kinën kur ajo tenton të futë detin e Kinës Juglindore nën sovranitetin e vet – diçka që haptas rrezikon lëvizjen e lirë e në të ardhmen, mundësisht edhe territorialitetin e vendeve përreth.

A do të aktualizohej ky liberalizëm e integrim i modelit euro-atlantik pa ndjekjen e një logjike realiste që trajton avancimin e interesit kombëtar si diçka primare? Ndoshta pyetja edhe më e qëlluar do të ishte: a do të ishin këto shtete, që tani janë, po të mos kishin një masë realizmi si princip drejtues në politikë bërje?

Liberalizmi institucional po tenton të shitet si strategji vendore në një ambient që fatkeqësisht gjendet pranë rreziqeve ekzistenciale. Shteti i Kosovës nuk e ka konsoliduar vetën dhe duke marrë parasysh rrethanat, patjetër duhet të bëj politikë realiste me pushtetin e tanishëm serb. Beogradi nuk i dorëzon objektivat shekullore, nëse nuk ka presion dhe interes për të ndryshuar. Asnjë palë në këtë sistem ndërkombëtar nuk ka më shumë interes për ndryshim sesa vetë Kosova kundër të cilës politika në emër është e dizajnuar.

Prandaj, edhe Kosova duhet t’i kthehet bazës para se të kalojë shkallëve të idealizmit e liberalizmit, sepse pa bazë do të gjejë në një kohë të shkurtër se edhe shkallët kanë qenë vetëm një iluzion. Arsyetimi se sjelljet janë të kushtëzuara nga ndërkombëtarët është i pa vend, sepse intervenimi nuk ka ndodhur duke u varur në klasën politike, por vuajtjet e popullit në kombinim me gjendjen e politikës botërore dhe rajonale të viteve ‘90. Andaj, zëri i popullit dhe drejtësia të cilën e meriton Kosova për një shtet të pavarur, stabil dhe të sigurt nga rreziqet e jashtme, janë mënyra më e mirë për të kërkuar atë që i takon –-që Serbia të heq dorë nga aspiratat ndaj saj.

Shikoni sjelljet e Beogradit. Sa do që janë agresive, nuk janë aspak irracional. Ajo dialogon me Kosovën se është e detyruar në mënyrë që të hyj në BE. Në të njëjtën kohë destabilizon veriun, përkrah strukturat kriminale dhe bën presion. Çka nënkupton se ajo gjithashtu ndjek udhën e liberalizmit ndërkombëtar duke përdorur realizmin (e shekulli XIX) ndaj Kosovës.

Në këtë rast, që Prishtina të ndjekë politikën e Brukselit ndaj Beogradit është një lloj vetëvrasje, sepse funksionon në mënyrë të kundërt me atë që po ndodh në realitet. Kjo është kur marrim parasysh se në mendjen e politikanëve të Brukselit bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkan, jo integritetin territorial të Belgjikës. Bëhet fjalë për një territor në periferinë e Evropës. Periferia e BE-së në këtë rast është Kosova. Rrjedhimisht, del se humbësi më i madh në proces mbetet Kosova që nuk ndjek realizmin në marrëdhëniet me Serbinë, por vetëm vuan konsekuencat e saj.

Realizmi kërkon politikë aktive, strategji të qartë, operative, vizion që di se si, ku dhe kur duhet sulmuar ky agresivitet deri në momentin kur dorëzohet. Të jemi të qartë, nuk bëhet fjalë për strategji për veriun, por strategji më të gjerë dhe të përgjithshme në sundimin e apetitit territorial serb ndaj Kosovës. Sepse, është ajo mendje që lëre se nuk kërkon falje dhe nuk paguan riparime për dëmet e luftës, por edhe punon aktivisht te rikthej çfarëdo pushtimi apo influence në vend. Mbase, kur ka pak influencë mund t’i jap shpresë që një ditë të ketë edhe më shumë, deri në atë pikë ku historia përsëritet, siç na u është përsëritur neve shqiptarëve me spastrime etnike të një pas njëshme.

Ky fenomen shkatërrues për shqiptarët duhet të ndryshohet. Vetëm se nuk arrihet duke besuar se nëse sillemi si ndërkombëtarët (që natyrisht nuk flasin me një zë), themi e bëjmë si ata duan, institucionalizmi liberal automatikisht do të na shpërblejë me dhurata. Edhe nëse e bën përfundimisht atë gjë, nuk dihet as nuk mund të dihet sigurt, por vetëm mund të shpresohet në të.

Interesi kombëtar nuk mbrohet me shpresa. Dhe këtu, mu me këtë pikëpamje të Qeverisë që pretendon të dijë se si funksionon sistemi ndërkombëtar, krijohet vakumi mes liberalizmit në praktikë dhe atij si model i adaptuar në Prishtinë.

Prandaj, Kosova duhet të ketë politikë shumëdimensionale nëse dëshiron të arrijë pavarësi dhe sovranitet të qëndrueshëm. Duhet të bëjë çmos që të integrohet në BE, dhe të balancojë e fitojë kundër tendencave hegjemoniste serbe.

Të përmendim vetëm dy prej shumë pikave qe Qeveria duhet të bënë që të jetë e suksesshme në praktikë dhe të ballafaqohet në mënyrë sa më të sigurt me Serbinë.

1. Të marrë pozitë të qartë se nuk do të normalizohen marrëdhëniet nëse Beogradi nuk e njeh pavarësinë e saj. Kjo duhet të jetë kërkesa dhe pozita minimale nga Qeveria e Kosovës. Kur marrim parasysh historinë, të mos kërkohet kjo nga Serbia është, sado i ndërlikuar krahasimi, sikur Gjermania të mos njihte Izraelin pas gjithë krimeve që nazistët kishin bërë kundër çifutëve. E vërtetë që nazistët nuk janë më në pushtet, por Gjermania sidoqoftë ndihet përgjegjëse për atë që shteti i saj ka bërë (diçka që nuk po ndodh me Beogradin).

Një meritë të madhe për këtë ndjenjë përgjegjësie e kanë vetë çifutët dhe shteti i Izraelit që lufton për t’i mbrojtur interesat e vendit dhe popullit. Lëshimi pe në këtë aspekt është zanafilla e shumë kompromiseve që pasojnë, duke përfshirë këtu edhe mosekzistimin e presionit serioz nga ndërkombëtarët ndaj Beogradit që të përballet me të kaluarën e tmerrshme. Nëse viktima nuk kërkon drejtësi, në një skenë globale me plotë sfida më serioze, vështirë se të tjerët do ta kërkojnë për të.

2. Të jetë shumë më aktive dhe të ketë një plan edhe për Luginën e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Kjo duhet bërë për dy arsye të ndërlidhura. Së pari, të tregohet vendosmëri në mbrojtjen e popullatës shqiptare në Serbi. Së dyti, të shtyjë Beogradin që të rishqyrtojë politikën e saj ndaj Kosovës, duke i vërtetuar se konflikti interesave, nëse vazhdon të nxitet, definitivisht nuk ndalet në Kosovë.

Me politikën e tanishme Prishtina po i konfirmon termat e strategjisë së Beogradit dhe po bie nën kontrollin e saj, duke mbajtur problemin brenda Kosovës. Fillimisht kjo tingëllon si mençuri, sepse Kosova tregohet më e sigurt dhe e qetë, se nuk hap temën e shkëmbimit të territoreve. Por, në praktikë lejon thellimin e influencës serbe në territoret e Kosovës, ndërsa konfirmon zhdukjen e influencës së Prishtinës në Luginë.

Kjo nuk e lufton apetitin serb ndaj Kosovës, por e nxitë në mënyrë indirekte. Evidencë për këtë janë 13 vitet e fundit. Për shkak se mungon një politikë e tillë aktive nga Prishtina, deklaratat e herëpashershme të Qeverisë për Luginën nuk përputhen me realitetin që përditë e më shumë flitet për status special për veriun e më pak për faktin se ka shqiptarë në Luginë.

Këto janë vetëm disa prej shumë taktikave të një strategjie që do të kishte për qellim sundimin e politikës serbe ndaj Kosovës, dhe zhvillimin e vendit që të mund të mbrohet nga çfarëdo hegjemonie në Beograd. Me Mitrovicën nën kontrollin e Beogradit, Kushtetutën e Serbisë qe detyron politikanët e saj të trajtojë Kosovën si pjesë e saj, ekstraterritorialitetin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, presionin asimilues dhe spastrues ndaj shqiptarëve në Luginë… të fokusohesh në integrimin në BE, por të mos jesh aktiv në luftimin e këtyre fenomeneve shkatërruese, është më keq se Amerika t’ia besonte ngritjen e Kinës sistemit liberal, pa u munduar të balancojë fuqinë e saj, apo të krijonte një aleance euro-atlantike me Britaninë pa bërë asgjë për ta larguar rrezikun e Imperializmit britanik nga sfera perëndimore.

 

Exit mobile version