Institucionet e Kosovës ka gjasa që së paku edhe një kohë të gjatë të mos e marrin udhërrëfyesin apo listën e kushteve që Kosova duhet t’i plotësojë për të përfituar liberalizimin e vizave.
Burime të "Zërit" të afërta me Bashkimin Evropian, thonë se në Bruksel ka filluar të flitet që Kosovës t’i shtyhet edhe për një kohë marrja e udhërrëfyesit, pavarësisht se sipas premtimeve publike të zyrtarëve evropianë një gjë e tillë tashmë do të duhej të kishte ndodhur.
"Ju e dini që komisionerja për çështje të brendshme të BE-së, Cecilia Malstrom, ka deklaruar se Prishtina do ta marrë udhërrëfyesin në pranverën e hershme, por ne sot jemi në mes të pranverës dhe ky dokument as që përmendet. Tash së fundi ka filluar të flitet për pranverën e vonshme, por sipas të gjitha gjasave kjo çështje do të shkojë deri në verë", ka thënë burimi i gazetës. /Telegrafi/