Sipas zyrtarëve, numri i refugjatëve sirianë që humbën jetën nga i ftohti në stuhinë e dëborës në lindje të Libanit është rritur në 12, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të shtunën, u gjetën edhe tre trupa të pajetë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekurve në 12, tha një burim anonim nga Mbrojtja Civile e Libanit.
Midis të vdekurve ishin edhe tre fëmijë, ata pësuan ndërsa po përpiqeshin të kalonin në Liban nga Siria fqinje. Burimi shton se ekipet libaneze të Mbrojtjes Civile kanë arritur të shpëtojnë tre refugjatë.
Të premten, ushtria e Libanit njoftoi se nëntë refugjatë sirianë u gjetën të ngrirë deri në vdekje përgjatë kufirit libanezo-sirian.
Instituti Meteorologjik Libanez njoftoi se pritet që moti i ftohtë të përfundojë në fundjavë kur pritet mot me diell.
Disa pjesë të Libanit, përfshirë edhe Luginën Beqaa, ku jetojnë mijëra refugjatë sirianë, këto ditë janë përfshirë nga moti jashtëzakonisht i ftohtë dhe të reshje të dendura të borës.
Muajin e kaluar, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët (UNHCR) njoftoi se numri i refugjatëve të regjistruar sirianë në Liban nga 1.5 milion ka rënë në rreth 998 mijë.