Stilistja shumë e pëlqyer kosovare, Lia Stublla, ka prezantuar së fundmi koleksionin e saj më të ri të veshjeve.
Ky koleksion vjen në bashkëpunim me motrën e saj ,Drita Stublla, e cila për herë të parë ka sjellë diçka të tillë në bashkëpunim me motrën.
“Lia Stublla X Drita Stublla” është dizajnuar kryesisht nga Drita, motra ime në bashkëpunim me mua. Ideja ka qenë me e dizajnu për maturantët e vitit 2019, duke u bazuar në faktin që Drita është influencë për stilin e saj dhe shumë e ndjekur nga gjeneratat më të reja”, ka thënë Lia në një prononcim për Telegrafin.
Për këtë koleksion janë përdorur ngjyra të ndryshme, kryesisht ato pranverore, për t’iu përshtatur edhe stinës në të cilën ndodhemi.
Dy motrat kanë ndarë me ndjekësit e tyre në rrjetet sociale disa nga kreacionet, të cilat janë prezantuar dhe pritur shumë mirë nga ndjekësit.
Veshjet e këtij koleksioni janë të disponueshme në dyqanin e Lias në Prishtinë, gjersa mund të blihen edhe ‘online’. /Telegrafi/