Ekspertët e “leximit të buzëve” thuhet se u përpoqën të interpretojnë atë që Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, diskutuan gjatë një takimi të fundit.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ndonëse biseda ndërmjet dy liderëve është regjistruar, ajo ende mbetet “sekrete”, pasi që ende nuk është publikuar.
Gjithsesi, mediumi i Koresë së Jugut, Chosun Ilbo ka pyetur “tre lexues të buzëve” që të provojnë të “dekodojnë” bisedën.
Ndonëse ekspertët kanë pranuar vështirësinë në interpretimin e bisedës nga një distancë e tillë, kanë thënë se Kim përsëriti fjalët “SHBA”, “Trump” dhe “armë bërthamore”.
Ata gjithashtu gjetën se kreu i Koresë së Veriut tha se samiti i tij i ardhshëm me Presidentin Trump “duhet të japë rezultate pozitive” dhe se ai dëshiron të marrë gjërat “hap pas hapi”.
“Komente duket se janë bërë derisa dy krerët po flisnin për dyshimet e SHBA-së rreth gatishmërisë së Koresë së Veriut për të ndaluar zhvillimet në armët e saj bërthamore”, citohen të kenë thënë ekspertët në fjalë.
Kim dhe Trump pritet të takohen në javët e ardhshme, ndërsa SHBA kërkon denuklearizimin e Koresë së Veriut.
Trump tha të martën se një datë dhe vendndodhja për takimin do të shpallet në “ditët e ardhshme”.
Siç potencohet më tej, Trump ka përmendur Singaporin dhe zonën e çmilitarizuar që ndan Veriun dhe Korenë e Jugut si vende të takimit të mundshëm.
Koreja e Veriut thuhet se ka ofruar t’i japë fund programit të saj bërthamor nëse SHBA nuk pranon të pushtojë vendin në të ardhmen.
Megjithatë, disa janë skeptikë për ofertën, duke vënë në dukje se Koreja e Veriut ka bërë më parë një hapje të tillë pa e vazhduar atë. /Telegrafi/