Telegrafi

Lexoni se kush përfiton më së shumti nga falja e borxheve

Më 5 shkurt 2015, Qeveria e Kosovës mori vendim për faljen e borxheve të qytetarëve dhe bizneseve, borxhe të akumuluara deri më 31 dhjetor 2008. Pjesë ma e madhe e këtyre borxheve janë ndaj ndërmarrjeve publike si: kompanive të ujësjellësit, mbeturinave, ngrohtoreve në Prishtinë dhe Gjakovë, borxhe ndaj komunave për tatim në pronë, KEK, ATK dhe Dogana.

Menjëherë pas themelimit të Komisionit për të shqyrtuar mundësinë e larjes së borxheve, Instituti GAP ka dërguar kërkesë në shumicën e ndërmarrjeve publike rajonale dhe lokale për të pasur qasje në strukturën dhe shumën totale të borxhit të grumbulluar deri më 2008.

Gjatë mbledhjes së informacionit kemi vërejtur se institucionet publike të cilat kanë pasur vështirësi në arkëtimin e borxheve nuk kanë të dhëna zyrtare të gatshme për borxhin ndaj institucionit. Andaj, nëse për asgjë tjetër, vendimi i Qeverisë për mundësinë e faljes së borxheve ka vërë në lëvizje institucionet të cilat deri më tani janë treguar neglizhente që së paku të mbledhin të dhëna të sakta për borxhet që u kanë atyre amvisëritë, bizneset dhe institucionet.

Po ashtu Instituti GAP ka kërkuar nga ndërmarrjet informacion lidhur me vlerën e padive që janë bërë për këto borxhe mirëpo deri më tani, ku nuk ka marrë përgjigje, raporton Express.

“Nga përgjigjet që kemi marr nga tetë ndërmarrjet rajonale të ujësjellësit dhe mbeturinave del se në total do të falen rreth 57 milionë euro. Përfituesit më të mëdhenj do të jenë: a) amvisëria me 74 për qind; b) bizneset e vogla dhe të mëdha me 23 për qind (ndarja mes tyre është pothuajse e barabartë); dhe c) institucionet me 3 për qind. Nga këto tetë ndërmarrje publike rajonale, KRU Prishtina do të jetë ndërmarrja me shifrën më të madhe të borxheve të falura me rreth 33 milionë euro, kjo ngase iu shërben një numri më të madh të konsumatorëve”, thonë në Institutin GAP. /Telegrafi/