Ajo thotë se është e dashura e shqiptarit, Marsid Mhilli, 24 vjeç, i arrestuar për prostitucion. “Kam 10 vite që jetoj në Itali – tregon ajo – me Marsidin jam takuar pesë vite më parë dhe ai nuk dinte asgjë për punën time. Pak muaj më pas, u fejuam. I tregova për profesionin tim dhe ai e pranoi.”
“Unë kam një problem të madh, pi shumë. Ai më nxorri nga ky makth. Ai nuk punon, bën punë të përkohshme. Dhe ai ka një problem të madh; luan kumar. Shpesh më kërkon para për të luajtur dhe unë gjithnjë i jap. E kuptoj që ai më ndihmoi të lë pijen dhe unë mund ta ndihmoj të mos luajë më. Por, betohem për djalin tim, se nuk jam detyruar kurrë të bëj këtë punë dhe nuk më ka kërkuar të ndajë fitimet. Por, që prej kohës që jetojmë bashkë ne i paguajmë të dy faturat dhe shpenzimet”, tregon më tej 43-vjeçarja.
Por, 24-vjeçari nuk akuzohet vetëm për shfrytëzim prostitucioni. Hetuesit e akuzojnë edhe për dhunë dhe kërcënime.
“Nuk më ka qëlluar kurrë – thotë 43-vjeçarja – unë e kam qëlluar një herë, kur kisha pirë shumë dhe më pas tentova të pres damarët. I kam ende shenjat. Mes ne të dyve “e keqja” jam unë: Jam xheloze. E marr shpesh në telefon për ta pyetur se ku ndodhet. Ai vërtet nuk ka të bëjë me punën time, dua që të kthehet me mua në shtëpi”.
Avokati i Marsid Mhillit thotë se edhe transkriptimet e 18 muajve përgjim tregojnë se është gjithmonë 43-vjeçarja që e telefonon.