Site icon Telegrafi

Lewinsky rishfaqet në publik, rikujton vuajtjet pas zbulimit të skandalit

Ish-e dashura e ish-presidentit amerikan, tani është 43 vjeçe dhe kontribuon me përvojën e saj në një fushatë kundër ‘kiber-bulizmit’.

“Në moshën 22-vjeçare u dashurova me shefin tim dhe kur isha 24 vjeçe, mësova nga pasojat shkatërruese të atij skandali. Nuk ka ditë që s’më kalon në mendje gabimi im dhe jam penduar thellësisht për këtë gjë”. Ajo që flet është Monica Lewinsky, ish-stazhistja e Shtëpisë së Bardhë e cila u bë e famshme, pasi u zbulua se ishte e dashura e Bill Clinton-it.

Gruaja, e cila tani është 43 vjeçe, ka qenë pjesëmarrëse në konferencën e “Australian Association of National Advertisers” në Sidnei dhe ka kujtuar se gjatë këtyre viteve është fyer dhe ofenduar nga shumë njerëz, aq sa ka menduar edhe të vetëvritet.

Lewinsky, protagoniste e të ashtuquajturit “sexgate”, skandali i cili në fund të viteve ’90 përfshiu atëherë presidentin amerikan Billon Clinton, tani kontribuon me dëshminë e saj për të vazhduar një fushatë kundër ‘kiber-bulizmit’ (përndjekjes ndaj njerëzve pa mbrojtje dhe mbështetje).

Ajo tregon momentin kur u dashurua me shefin e saj, Clinton dhe sesi, pasi u zbulua ky skandal, ka vuajtur nga poshtërimet e miliona njerëzve në botë, përcjell gsh.

“Më kanë quajtur lavire dhe më kanë vënë etiketa të këtij lloji. Mizoria ndaj njerëzve nuk është diçka e re, por kam parë një pikë kthese në fuqinë e këtij poshtërimi, duke parë fuqinë që ka interneti me komente të pakufizuara dhe përherë me qasje nga ata që më mbështesin”.

Nuk duket një rastësi që Lewinsky është rishfaqur në publik pak ditë para zgjedhjeve presidenciale. Dhe kush e di ç’mund të ketë menduar për këtë Hillary Clinton, e cila vijon betejën e saj mbi akuzat me sfond seksual ndaj kundërshtarit të saj republikan për president të SHBA-ve, Donald Trump.

Exit mobile version