Ish-punonjësja e Shtëpisë së Bardhë, Monica Lewinsky, e cila u bë e njohur pas aferës me Bill Clinton, ka thënë se marrëdhënia e tyre përbënte një abuzim të fuqishëm të pushtetit nga ana e ish-presidentit amerikan.
Lewinsky ishte 22 vjeçare kur u lidh me presidentin e atëhershëm, i cili ishte 27 vjet më i moshuar se ajo. Ajo e ka shkruar një artikull për revistën Vanity Fair duke reflektuar në ngjarjet që kishin ndodhur. Monica ka treguar njëherësh se pas skandalit ishte diagnostikuar me PTSD (çrregullim post-traumatik). Skandali ishte vazhdimisht pjesë e mediave kështu që kishte ndikuar edhe në shëndetin mendor të saj.
Asokohe ngjarja i kishte pushtuar mediat amerikane në vitet 1998-1999, ndërsa Clinton fillimisht e kishte mohuar aferën, ndërsa më pas kishte pranuar se ka pasur “kontakt intim fizik të pakëndshëm”. Monica ka thënë se në atë kohë nuk kishte menduar për pasojat.
“Marrë parasysh pozitën e tij dhe moshën time… Ai ishte shefi im. Ishte njeriu më i fuqishëm në planet. Ishte 27 vjet më i moshuar se unë, me përvojë shumë më të madhe jetësore, për t’i ditur gjërat më mirë”, janë fjalët e saj.
Qëkur u kthye në syrin publik në vitin 2014, Lewinsky ka folur rregullisht kundër ngacmimeve në internet që iu bëhen personave si ajo.
Në esenë e shkruar për Vanity Fair, ajo ka diskutuar edhe për fushatën ‘#MeToo’, me ç’rast femrat po dalin haptas për keqtrajtimet seksuale që i kanë përjetuar nga personat me pozitë të lartë.
Ajo ka treguar se është emocionuar kur është kontaktuar nga përfaqësuesit e kësaj fushate, të cilët i kanë thënë se në kohën kur e ka përjetuar skandalin, Lewinsky nuk e ka pasur mbështetjen e nevojshme për ta kaluar atë situatë.
“Madje ka pasur njerëz që mendonin se përvoja ime në Shtëpinë e Bardhë nuk ka vend në këtë lëvizje, sepse ajo që ka ndodhur mes meje dhe Bill Clintonit nuk është keqtrajtim seksual, mirëpo tash pranohet se kjo përbën një abuzim të madh të pushtetit”, ka deklaruar Monica. /Telegrafi/