Robert Lewandowski është shpallur lojtari më i mirë në Evropë sipas UEFA-s, falë sezonit të jashtëzakonshëm 2019/2020. Ndërsa njëherësh, ai e mori edhe çmimin e sulmuesit më të mirë.
Suksesin individual, ylli i Bayern Munichut e ka arritur falë suksesit ekipor me bavarezët që e fituan Bundesligan, Ligën e Kampionëve dhe kupën DFB Pokal.
Sulmuesi polak është bërë lojtari i parë që e ka kompletuar tripletën e trofeve së bashku me golashënuesin më të mirë në secilën garë ku ka luajtur.
32-vjeçari ka pasur shifra të jashtëzakonshme në sezonin më produktiv të karrierës së tij, në të cilin shënoi 55 gola në 47 paraqitje në të gjitha garat.
Lewandowski e fitoi Bundesligan dhe u shpall golashënuesi më i mirë në kampionatit gjerman me 34 gola (pas tij u rendit Timo Werner që shënoi 28 gola me RB Leipzigun).
Polaku e fitoi edhe kupën gjermane, të njohur si DFB Pokal dhe po ashtu ishte golashënues më i mirë në këtë garë me gjashtë gola (dy më shumë se Rouwen Hennings i Fortuna Dusseldorf).
Bayerni e kompletoi tripletën duke e fituar Ligën e Kampionëve, ndërsa edhe Leëandoëski ishte golashënuesi më i mirë i garës prestigjioze evropiane me 15 gola të shënuar (pesë më shumë se Erling Haaland i Borussia Dortmundit). /Telegrafi/