Sulmuesi polak i Bayern Munich, Robert Lewandowski, është vonuar në stërvitje tre herë radhazi që nga kthimi nga pushimet.
Lewandowski pushoi pak më gjatë dhe pasi u kthye të martën, ai ishte i pranishëm në gjithsej tre seanca stërvitore.
Megjithatë, polaku ishte vonë për secilin prej tyre. Hera e fundit që ka ndodhur ka qenë sot, ku u bë e ditur se Bayern Munich do të prezantojë ekipin e tyre për sezonin e ri të shtunën para nisjes për në turin amerikan.
Mbetet për t’u parë nëse Lewandowski do të jetë i pranishëm në prezantim duke pasur parasysh dëshirën e tij të qartë për t’u larguar nga klubi dhe për të kaluar te Barcelona, gjë që bavarezët po e bëjnë të vështirë.
Prezantimi do të bëhet para seancës stërvitore, e cila do të jetë e hapur për publikun, çka do të thotë se do të jenë të pranishëm edhe tifozët e klubit.
Lewandowski e bëri të qartë në fund të sezonit të kaluar se dëshironte të largohej nga Bayern, madje u tha lamtumirë tifozëve pas ndeshjes së fundit.
Ndërkohë, Barcelona ka dërguar një ofertë zyrtare për Lewandowskin, por ende nuk ka marrëveshje mes klubeve. Skuadra e Bayernit udhëton të hënën për në SHBA. /Telegrafi/