Ky fond është lëvruar nga programi “CARDS” me qendër në komunitetin evropian.
Iris Pojani, drejtoreshë për turizmin dhe zhvillimin e kulturës kombëtare në MTKRS, shpjegon se ka filluar puna për restaurimin e disa qendrave kulturore, që përbejnë interes për turizmin vendas.
Në qytetin e Gjirokastrës është ngritur Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të qendrës historike të këtij qyteti.
Presupozohet që kjo zyrë të jetë një njësi menaxhuese, në drejtim të thithjes së fondeve nga të huajt, zbatimin e tyre, administrimin e qendrës historike në pikëpamjen e vizitorëve vendas dhe të huaj dhe një sërë synimesh të tjera.
“Brenda këtij viti do të lëvrohen nga UNESCO fondi prej 1.367.000 dollarësh, me qëllim restaurimin e pazarit të Gjirokastrës. Po kështu ka filluar edhe restaurimi i hanit të Zagorisë, me një fond prej 24 milionë dollarësh”.
Sërish nga UNESCO është miratuar fondi prej 91.000 dollarësh për mbrojtjen e isopolifonisë shqiptare. Një tërheqje kjo për kulturën e popullit tonë, e mbetur edhe ndër ato të pakta gjëra me të cilat identifikohemi në sytë e të huajve.
“Vendosja e sinjalistikës dygjuhëshe në monumentet e kulturës të bregdetit jugor, tashmë mund të cilësohet si një sukses. Gjithçka është vendosur sipas parametrave bashkëkohorë”, shprehet Pojani.
Aktualisht është duke u restauruar Lidhja e Shkrimtarëve, restaurim që shkon deri në fazën e tretë të punimeve dhe që synon përshtatjen e këtyre ambienteve për akomodimin e administratës së MTKRS-së.
Ndërsa ende nuk është konfirmuar lëvrimi i fondit prej 8 milionë lekësh për restaurimin e bibliotekës së vjetër. /Korrieri/