Lëvizja Besa nuk përjashton mundësinë të jetë pjesë e shumicës parlamentare. Afrim Gashi thotë se edhe pse partia e tij është e gatshme që për hir të stabilitetit në vend të bëhet pjesë e qeverisë. Rekomandimet e faktorit ndërkombëtar, sidomos në drejtim të stabilitetit politik dhe zgjidhjes së çështjes së emrit, sipas Gashit mund të jenë vendimtare për vendimin e përfshirjes në qeverinë Zaev.
“Po them të shihen se cila është situata e re, ka ndonjë moment të ri apo jo. Nëse është e vjetër ne vazhdojmë me pozicionin tonë aty ku kemi qenë , por nëse ka ndonjë moment të ri qoftë edhe nga faktori ndërkombëtar, në ndonjë incativë për zgjidhjen e problemit të emrit dhe nëse kërkohet ndihma e Lëvizjes Besa, atëher jemi këtu për t’i ndihmuar vendit për në Nato dhe BE”, tha Gashi.
Ditë më parë shumicës parlamentare, iu bashkua edhe deputeti i partisë Opsioni Qytetar për Maqedoninë, Çedomir Sasdovski. Ai tha se ky vendim vjen pas ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend.
“Momenti kyç për vendimin tim për t’u larguar nga koalicioni dhe nga partia ime OQM ishte 27 prilli megjithatë kjo zgjati deri para zgjedhjeve lokale, që unë mos të jem fajtor për disa raste të tjera. Në lidhje me atë se a do të dalin edhe persona të tjerë nuk kam informata dhe nuk jam kompetent për këtë. Do të duhet që të tjerë të pyesni”, u shpreh Sadovski.
Nga ana tjetër Muhamed Zekiri nga LSDM thotë se shumica parlamentare është në rritje e sipër.
“Sa do të shkojë numri do ta shihni vetë dhe atë shumë shpejtë, ne ju lëmë deputetëve vetë të vendosin dhe t’i bashkëngjiten shumicës së re parlamentare. Atë që kemi thënë qëndrojnë në ato deklarata se shumica parlamentare do të rritët”, tha Zekiri.
Goran Milevski nga Partia Liberal-Demokrate nuk përjashton mundësinë që një pjesë e listës së OBRM-PDUKM-së do t’i bashkëngjiten kësaj shumice.
“Ka paralajmërime nga disa deputetë të listës së OBRM-PDUKM-së që ndonjëri prej tyre të vendosë t’i bashkëngjitet shumicës parlamentare që të jemi më të fortë gjatë zbatimit të reformave të cilët janë të patjetërsueshme në RM, pres që kjo të bëhet në periudhën që vjen. Por se sa shpejt, kjo do të varet nga vetë deputetët. Se a do të ketë diçka, unë mendoj se do të ketë”, tha Milevski.
Formacioni aktual i shumicës parlamentare është konsideruar si i brishtë për shkak të numrit gati minimal të deputetëve. Deklaratat e fundit të Lëvizjes Besa mund të ndryshojnë këtë përbërje. Aleanca për Shqiptarët ka ritheksuar se nuk e ka ndërmend të largohet nga qeveria për shkak të siç thonë çështjeve për të cilat duhet luftuar. Nga ana tjetër, kryeministri Zaev ka shprehur disponim për zgjerimin e shumicës duke mos tentuar të largojë askënd nga kjo shumicë pa dëshirën e tyre.