Në Kuvendin e Shqipërisë kanë filluar lëvizjet e para që kërkojnë dënimin e gjenocidit serb të kryer në Kosovë.
“Pa dënuar krimet e gjenocidin serb në Kosovë e Rajon, pa u kërkuar falje për ato, nuk mund të sigurohet një e ardhme evropiane!”, ka kujtuar deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Tritan Shehu, që shënon një zhvillim të ri në lidhje me këtë kërkesë të kamotshme të institucioneve të Kosovës.
Deputeti i Partisë Demokratike (PD), Tritan Shehu, në kuadër të përvjetorit të masakrës së Mejës pranë Gjakovës, ka thënë se do të kërkojë që krimet e gjenocidit serb të dënohen.
“Sot është përvjetori i masakrës së Mejës pranë Gjakovës, realizuar nga forcat dhe paraushtaraket serbe, ku u vranë mizorisht 377 burra dhe fëmijë nga Kosova. Fatkeqësisht ky akt kriminal nuk është i vetëm, por i paraprirë dhe pasuar edhe me të tjerë të këtij lloji, duke përberë kështu një vepër gjenocidi të Serbisë ndaj popullsisë së Kosovë, akte këto për të cilat qeveria e atij vendi nuk ka kërkuar kurrë të falur”.
“Në këto kushte, pikërisht për të kujtuar e nderuar viktimat, por dhe për të dënuar gjenocidin serb mbi popullsinë e Kosovës i kërkova Kryetares së Kuvendit që, se pari te mbahet një minutë heshtje solemne në seancën plenare të së nesërmes. Këtë kërkesë e bazoj në Piken 5 të Nenit 7 të Rregullores së Kuvendit”, ka shkruar deputeti i PD-së.
Sipas tij, vetëm kështu do të ketë bashkëjetesë në Ballkan, e për këtë thotë se do të ndërmerren akte Kushtetuese në ditët në vijim.
“Pa asnjë dyshim në ditët ne vazhdim do të procedohet me hapat kushtetuese për dënimin edhe formal nga Kuvendi i ynë i atij gjenocidi, ne Kosove dhe më gjerë në Rajon. Kështu ka vepruar Kuvendi i Kosovës, si dhe Parlamente te tjera te vendeve te Rajonit”.
“Pa dënuar krimet e gjenocidet e te kaluarës, pa u kërkuar falje nga përgjegjësit e tyre për ato, nuk mund te ketë paqe e bashkëjetesë në Rajonin tonë. Ky është një parim themelor mbi te cilën do të përshpejtohet edhe procesi i ynë i integrimit evropian, vlerat e të cilës i kërkojnë këto akte”, ka shkruar tutje Shehu, raporton Telegrafi.
Në vizitën e sa të parë në Tiranë, presidentja Vjosa Osmani kërkoi rezolutë të Shqipërisë për dënimin e krimeve serbe.
Osmani në fjalën e saj të mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë në dhjetor të vitit 2020 kishte deklaruar se Serbia nuk ka ndryshuar.
“Tirana dhe Prishtina duhet të ndalin gjuhën e urrejtjes antishqiptare dhe përpjekjet e Beogradit për të fshehur krimet. Ekziston vetëm një e vërtetë, që ka ndodhur përpara syve të të gjithë botës: Serbia kreu gjenocid në Kosovë”, kishte deklaruar Osmani.
Kuvendi i Kosovës në vitin 2019 kishte miratuar një rezolutë për gjenocidin serb të kryer në Kosovë./Telegrafi/