Site icon Telegrafi

Lëvizja Fol: Qeveria nuk ka realizuar as gjysmën e aktiviteteve të Planit Kombëtar për Zhvillim

Qeveria e Kosovës ka arritur të realizojë vetëm 60 aktivitete prej 175 që janë paraparë për gjashtë mujorin e parë të këtij viti. Janë 82 aktivitete të tjera të cilat nuk janë realizuar, ndërkaq për 33 aktivitete të tjera nuk kanë ofruar përgjigje zyrtarët përgjegjës të institucioneve.

Kështu u tha në konferencën e Lëvizjes Fol, ku u publikuan të dhënat nga monitorimi i realizimit të aktiviteteve të parapara për gjysmën e vitit, në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim 2023-2025.

Drejtoresha e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli tha se në analizimin e gjashtëmujorit të parë të Planit Kombëtar për Zhvillim të Qeverisë, kanë vërejtur mangësi të tepërta. Sipas saj, një nga të metat është vështirësia e zyrtarëve publikë për planifikim të mirëfilltë në kuptimin e Planit Kombëtar Zhvillimor.

“Plani ka një logjikë rrjedhëse, mirëpo pas analizimit të të njëjtit, vërehet së në fakt planifikimi operacional ka mangësi të tepërta të cilat e bëjnë planin të pa lexueshëm, të pa kuptueshëm dhe që nuk tregon asgjë por edhe e fsheh zbatimin e vërtetë të PKZH. Aktivitetet e parapara në PKZH nuk korrespondojnë me programin legjislativ për vitin 2023. Për shembull, Ministria e Shëndetësisë në Planin Legjislativ, gjithashtu ka paraparë 5 projektligje, mirëpo asnjëra nuk është përfshirë në Planin Strategjik Kombëtar”, tha Demolli.

Ajo shtoi se në shumë raste ka munguar edhe buxheti dhe nuk dihet se sa shpenzohet për një masë të caktuar.

Hulumtuesja e lartë në Lëvizjen Fol, Albani Hasani prezantoi realizimin e këtyre aktiviteteve për secilën ministri, ku u tha se Zyra e Kryeministrit ka realizuar vetëm 13 aktivitete.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nga 10 aktivitete të parapara që të përfundojnë në tre mujorin e dytë të vitit 2023, ka arritur të realizojë vetëm gjashtë. Zyra e Kryeministrit, pa përfshirë edhe agjencitë varëse në Planin Kombëtar për Zhvillim ka paraparë realizimin e 47 aktivitete, ndërsa deri në fund të muajit qershor ka arritur të realizojë vetëm 12 prej tyre. MPBZHR ka planifikuar të realizoj 5 aktivitete nga të cilat ka arritur t’i realizoj të gjitha. Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar 14 aktivitete për të realizuar deri në fund të muajit qershor, ka realizuar vetëm 8 aktivitete”, u shpreh Hasani.

Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal, kanë paraparë një aktivitet gjatë këtyre gjashtë muajve, të cilat janë realizuar. Ndërkaq, Ministria e Mjedisit kishte paraparë realizimin e dy aktiviteteve, ku ka arritur të realizojë vetëm njërën prej tyre.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka planifikuar vetëm katër aktivitete dhe ka realizuar ka realizuar vetëm tri prej tyre. Ministria e Drejtësisë ka planifikuar 14 aktivitete të përfundojnë brenda gjashtë mujorit të parë dhe ka realizuar vetëm pesë prej tyre, për gjashtë janë përgjigjur se nuk kanë përfunduar, ndërkaq për dy të tjera nuk kanë ofruar përgjigje. Ministria e Punëve të Brendshme ka planifikuar realizimin e 16 aktiviteteve, prej të cilave ka realizuar vetëm dy. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka planifikuar tetë aktivitete, prej të cilave i ka përfunduar vetëm gjashtë. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka paraparë realizimin e 18 aktiviteteve, prej të cilave i ka përfunduar vetëm shtatë. Ministria e Ekonomisë ka planifikuar realizimin e pesë aktiviteteve, prej të cilave i ka përfunduar vetëm tri”, shtoi ajo.

Më tej, Hasani bëri të ditur se Qeveria e Kosovës gjatë gjashtë muajve ka arritur të realizojë vetëm 60 aktivitete.

“Nga 175 aktivitete të parapara për realizimin e Planit Kombëtar për Zhvillim në gjashtë mujorin e parë të vitit 2023, Qeveria e Kosovës gjatë kësaj periudhe ka arritur të realizojë vetëm 60 aktivitete. 82 aktivitete nuk i ka realizuar, ndërsa për realizimin e 33 aktiviteteve nuk kanë ofruar përgjigje zyrtarët përgjegjës të këtyre institucioneve”, përfundoi ajo.

Në prezantimin e këtij raporti u tha se peshimi është risi e qeverisë në planifikimin operacional, për çka nuk ka informacione dhe shpjegim si kalkulohet. /KP/

Exit mobile version