Site icon Telegrafi

Lëvizja Besa: Zonat e lira ekonomike, një mister i vërtetë

Lidhur me zonat e lira ekonomike së fundmi ka reaguar edhe Lëvizja Besa, duke thënë se është mister numri i të punësuarve, si dhe subvencionet që ua jep Qeveria e Maqedonisë investitorëve të huaj për çdo punësim, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Ndonëse për ta analizuar punën e zonave të lira ekonomike nevojiten informacione dhe ato duhen të jenë me karakter publik, as Agjencia e Investimeve të Huaja, as Drejtoria për Zhvillim Teknologjik Industrial nuk e mundësojnë një gjë të tillë. Për këtë arsye mbetet mister numri i të punësuarve, si edhe subvencionet që ua jep Qeveria e Maqedonisë investitorëve të huaj për çdo punësim. Kështu në mediumet pro-qeveritarë thuhet se numri i të punësuarve në këto zona sillet prej 15 mijë deri 20 mijë, ndërsa vetëm këtë vit janë rreth 7 mijë. Sa për informacion, në Kroaci të dhënat për numrin e te punësuarve në zonat e lira ekonomike nuk janë sekrete dhe ato janë në faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë.

Nisur nga kjo me të drejtë pyesim se kujt po i pengon publikimi zyrtar i këtyre të dhënave? A i pengon OBRM-së, që jep miliona subvencione, apo BDI, që këto zona janë në vendbanimet maqedonase dhe struktura e të punësuarve janë kryesisht maqedonas? Po ashtu Lëvizja Besa e pyet partinë shqiptare në qeveri se çka ka bërë ajo në 14 vjetët e qëndrimit në pushtet dhe a është ne dijeni ajo se çka po ndodhë në zonat e lira ekonomike? Si ndodhë që paratë e qytetarëve, pra edhe të shqiptarëve si tatimpagues të këtij vendi, të përdoren për të subvencionuar punësime në rajonet maqedonase dhe vetëm për maqedonasit? Nga kjo konkludojmë dhe përsërisim se zgjidhja më e mirë për këtë shtet është Ridefinimi, ku çdo send do të ri definohet dhe do të vendoset në themele të forta dhe vetëm me Ridefinim shqiptarët do ta marrin hisen e tyre të merituar dhe do të bëhen pjesë e barabartë e Republikës së Maqedonisë. Por, Ridefinimin nuk mund ta bëjnë politikanët e harxhuar, të korruptuar dhe të zhvatur, por vetëm politikanët që interesin shqiptar e kanë para interesit personal. Ata janë një gjeneratë e re e politikanëve dhe e njerëzve me Besë”, thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje./Telegrafi/

 

Exit mobile version