Sa vijnë dhe shtohen urimet për zgjedhjen e Donald Trump për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë herë, Lëvizja Besa me një komunikatë të drejtuar Telegrafit në Maqedoni i shpreh urimet ambasadorit të SHBA-ve në Maqedoni, Jess Baily për përzgjedhjen që populli amerikan e bëri për zgjedhjet presidenciale.
”I nderuari Ambasador, Më lejoni që në emrin tim dhe të anëtarësisë së BESËS t’ju uroj për zgjedhjen e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Duke dëshmuar vlera të njëmendta demokratike, sot populli amerikan edhe një herë na bindi për peshën që e ka vullneti demokratik i sovranit në SHBA. Ne ju urojmë për presidentin e ri, ndërsa jemi të bindur se përkushtimi i SHBA-ve për të ndihmuar në zhvillimin dhe mbarëvajtjen e demokracisë në vendin tonë do të vazhdojë edhe më tej. Zoti e bekoftë Amerikën!” thuhet në urimin e koordinatorit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami drejtuar ambasadorit Jess Baily./Telegrafi/