Site icon Telegrafi

Lëvizja Besa: Të sigurohet transporti për nxënësit shqiptarë

Lëvizja Besa, ka reaguar përmes një kumtese dërguar Telegrafi Maqedoni, në lidhje me transportin e nxënësve shqiptarë, gjegjësisht zonave rurale të Tetovës.

‘Edhe pse sot janë bërë më shumë se dy javë që nga fillimi i procesit edukativo-arsimor, nxënësit shqiptarë të komunave rurale të Zhelinës, Bogovinës, Tearcës dhe Bërvenicës vazhdojnë të udhëtojnë me shpenzimet e tyre ose, ata që nuk kanë mundësi, të mos mund ta ndjekin mësimin fare.

Përveç Qeverisë, përkatësisht Ministrisë e Arsimit dhe Shkencës – e udhëhequr nga një shqiptar, e cila në vazhdimësi është pengesë kryesore e zhvillimit të arsimimit të nxënësve shqiptarë, tani edhe Komuna e Tetovës, e udhëhequr nga një shqiptare – kuadër i BDI-së, është duke pamundësuar që nxënësit shqiptarë ta ndjekin zhvillimin normal të procesit edukativo-arsimor.

Lexo po ashtu Vazhdon problemi me transportin në Tetovë

Siç duket, kur bëhet fjalë për nxënësit shqiptarë, për Komunën e Tetovës gjithnjë paraqiten probleme. Kjo, përveçse flet për joseriozitetin e Komunës së Tetovës ndaj nxënësve shqiptarë, njëherazi flet edhe për dështimin total të menaxhimit me këtë institucion.

Andaj Lëvizja BESA – Tetovë, duke konsideruar se nxënësit shqiptarë janë prioritet i yni, e dënojmë këtë trajtim joserioz ndaj nxënësve shqiptarë dhe kërkojmë përgjegjësi publike nga ministri i Arsimit, i cili është koka e këtij turpi. Ndërkaq nga Komuna e Tetovës kërkojmë që nevojat e nxënësve të arsimit të mesëm t’i trajtojë me karakter primar dhe urgjentisht t’u sigurojë atyre transport publik. Nëse nuk zgjidhet kjo, Lëvizja BESA është e vendosur që bashkë me prindërit e nxënësve të protestojmë para Komunës së Tetovës dhe kjo të mos ndalet derisa të zgjidhet ky problem i nxënësve shqiptarë’, thonë nga kjo Lëvizje. /Telegrafi/

Exit mobile version