Telegrafi

Lëvizja Besa: Të ndalohet politizimi i institucioneve shkencore dhe arsimore

Pas informacioneve të konfirmuara se partnerët qeveritarë kanë filluar t’i ndajnë mes vete edhe institucionet arsimore-shkencore, si – bie fjala – Institutin e trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, që qenka vendosur ta marrë LRPDSH-ja, Lëvizja Besa përmes një komunikate në Telegrafi Maqedoni ka parashtruar disa dilema për ndarjen e institucioneve.

– Nëse kështu i ndani institucionet arsimore dhe shkencore, kujt i ka rënë shorti ta marrë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë? – Nëse kështu i ndani institucionet arsimore dhe shkencore, cilit partner qeveritar i ka rënë ta drejtojë Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi”?

– Nëse kështu i ndani institucionet arsimore dhe shkencore, cilës degë të LSDM-së, BDI-së apo të LRPDSH-së i ka rënë të drejtojë Institutin e Gjuhës Maqedonase?

– Nëse kështu i ndani institucionet arsimore dhe shkencore, cilës nëndegë BDI-së apo të LRPDSH-së i ka rënë ta drejtojë Universitetin e Tetovës?

– Nëse kështu i ndani institucionet arsimore dhe shkencore, cilës nëndegë BDI-së apo të LRPDSH-së i ka rënë ta drejtojë Universitetin “Nëna Terezë”?

– Nëse kështu i ndani institucionet arsimore dhe shkencore, cilës nëndegë të LSDM-së, BDI-së apo të LRPDSH-së i ka rënë ta drejtojë Institutin e Folklorit “Marko Cepenkov”?

– Nëse kështu i ndani institucionet arsimore dhe shkencore, cilës nëndegë të LSDM-së, BDI-së apo të LRPDSH-së i ka rënë ta drejtojë Institutin e Letërsisë Maqedonase?

– Nëse kështu i ndani institucionet arsimore dhe shkencore, cilës nëndegë të LSDM-së, BDI-së apo LRPDSH-së i ka rënë ta drejtojë Institutin e Çështjeve Sociologjike, Politike e Juridike?

Të nderuar, prej kur i bëtë edhe institucionet shkencore e arsimore pronë të partive politike që t’i ndani njësoj si tenderët?

Duke i pasur parasysh këto fakte, Lëvizja BESA e gjykon këtë politizim të skajshëm institucioneve arsimore dhe shkencore, duke e kualifikuar si reprizë të skenave të mëparshme në Maqedoni, ndërsa na vjen keq që pjesë e kësaj loje është bërë edhe një parti, që deri dje ka hedhur gurë e dru mbi BDI-në për shkak të politizimit të institucioneve arsimore e shkencore, pra LRPDSH.

Vetëm tash po bindemi se fjala e urtë se “nëse dëshiron ta njohës fytyrën e vërtetë të dikujt, jepi pushtet!” më së shumti dhe më saktë po vlen pikërisht për këtë parti dhe, në përgjithësi, për këtë qeveri. /Telegrafi/