Përmes një kumteuse dërguar Telegrafit Maqedoni, Lëvizja BESA bën të ditur se ”është e habitur nga vendimi që viti akademik në Universitetin “Nënë Tereza” të jetë dyfisht më i shtrenjtë se në Universitetet tjera shtetërore.”
Në kumtesën e kësaj lëvizje, mes tjerash thuhet se ”OBRM-ja dhe BDI-ja si duket vazhdojnë të sillen sipas doktrinës së Enciklopedisë të Akademisë Maqedonase, ku shqiptarët quhen ardhacakë, prandaj ata duhet të paguajnë dyfish për gjithçka, duke përfshi edhe studimet në një Universitet i cili ende nuk ka as objektin e vet.
Ne e kemi të qartë se OBRM-së dhe BDI-së u nevojiten mjete shtesë për të paguar anëtarësinë e Milenko Nedellkovskit në 8 komisione qeveritare, por nuk do të lejojmë që kjo të bëhet në kurrizin e studentëve shqiptarë.
BESA kërkon urgjentisht që çmimorja për studime në UNT të harmonizohet me universitetet tjera shtetërore. Në të kundërtën do të përdorim të gjitha mjetet demokratike, duke përfshi edhe protestat për të penguar rrjepjen e studentëve shqiptarë.”/Telegrafi/