Përmes një kumtese dërguar Telegrafit Maqedoni, Lëvizja Besa konsideron se ”gjendja e shkollave fillore dhe të mesme shqiptare në Komunën e Kumanovës vazhdon të jetë e mjerueshme”.
Në kumtesën e kësaj partie, mes tjerash thuhet se ”nxënësve shqiptarë nuk iu sigurohen as kushtet elementare për mbajtjen e procesit mësimor”.
Sipas tyre, deerisa në klasat e nxënësve shqiptarë mungojnë edhe shkumësat, shkollat maqedonase janë të pajisura me të gjitha kabinetet e nevojshme, duke shtuar se derisa ne në shkollat e shqiptarëve nuk ka as oborr të shkollës, e lëre më sallë sportive, nxënësit maqedonas i kanë të siguruara të gjitha kushtet.
”Numri i nxënësve shqiptarë nëpër klasa është dyfish më i lartë sesa në klasat me nxënësit maqedonas, kjo për shkak se në Kumanovë tash e 30 vite nuk është ndërtuar asnjë shkollë e re. Ndërsa shkollat ekzistuese janë në gjendje të mjerueshme, pa asnjë investim dhe në kushte të tmerrshme në të cilat ne jemi të detyruar ta zhvillojmë procesin mësimor.
Mirëpo, për nxënësit maqedonas është krejtësisht një realitet tjetër. Ata kanë kabinete të gjitha pajisjet e nevojshme për t’i ngritur njohuritë e tyre intelektuale, ndërsa nxënësit shqiptarë nuk kanë as kushtet elementare për realizimin e një ore mësimore.
Përmes këtij apeli, i bëjmë thirrje të gjitha instancave shtetërore që sa më parë të ndërpritet ky diskriminim dhe të na ofrojnë kushte të dinjitetshme, të barabarta me nxënësit maqedonas për tu arsimuar. Në të kundërt, ne do të ndërmarrim edhe masa të tjera edhe më radikale duke mos përjashtuar as protestat dhe bllokimin e procesit mësimor derisa autoritetet në nivel lokal dhe qendror të garantojnë arsimim të dinjitetshëm edhe për nxënësit shqiptarë”, thuhet në reagimin e Besës./Telegrafi/