Përmes një reagimi dërguar Telegrafit Maqedoni, Lëvizja BESA deklaron se ”vitin e fundit janë realizuar një sërë punësimesh të mjekëve dhe personelit tjetër mjekësor në disa institucione publike shëndetësore, të cilët kanë shpallur konkurs për punësime në kundërshtim me ligjet ekzistuese në Maqedoni.”
Në reagimin e kësaj lëvizje, mes tjerash thuhet se ”drejtorët e këtyre institucioneve i kanë hapur konkurset për punësime pa përpilimin e planit vjetor për punësime, i cili paraprakisht duhet të miratohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Shoqërisë Informatike, kjo konform ligjit për punësime në sektorin publik. Ligji në fjalë i obligon institucionet publike që ta respektojnë metodologjinë e planifikimit të punësimeve, sipas të cilit këto institucione obligohen që ta respektojnë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike në Maqedoni.
Ne kemi informata të sakta e të verifikuara se punësimet e fundit të mjekëve dhe personelit ndihmës, kryesisht me mjekë të etnisë maqedonase, në disa institucione publike shëndetësore-spitale dhe klinika janë në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi (Ligjin për mbrojtje shëndetësore – neni 155 dhe Ligji për të punësuarit në sektorin publik – neni 5 dhe 20). Këtu bëhet fjalë për ikje nga respektimi i parimeve për përfaqësim të drejtë dhe adekuat gjatëpërpilimit të planeve vjetore për punësime në sektorin publik, konkretisht në institucionet shëndetësore, të cilat janë të detyruara që, para se të shpallin konkurse për punësim, t’i përpilojnë këto plane dhe t’i dorëzojnë për miratim në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratë në afat të caktuar me ligj. Siç e dimë, ekziston një program me emrin “Balancer”, që është përgatitur nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratë, i cili, në bazë të të dhënave që i jepen, e analizon strukturën e të punësuarve në një institucion dhe jep parametra se si duhet të bëhet shpërndarja e punësimeve të reja. Raporti që del nga ky program duhet ta shoqëroje planin për punësime në sektorin publik.
Ministritë në fjalë, gjatë shqyrtimit të planeve konform ligjeve, mes tjerash, e kanë parasysh edhe strukturën etnike të të punësuarve në institucionin përkatës dhe shpërndarjen e numrit të punësimeve të reja në bazë të përkatësisë etnike, me qëllim që të realizohen parimet e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të dala nga Marrëveshja e Ohrit. Me qëllim që t’u ikin këtyre mekanizmave, drejtorët e disa klinikave/spitaleve, fare pa përpiluar plane për punësime dhe pa miratim paraprak nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, kanë hapur konkurse ku janë punësuar një numër i madh i mjekëve maqedonas, me çka e kanë shkelur ligjin dhe kontribuojnë në uljen e përfaqësimin proporcional të mjekëve dhe personelit ndihmës shqiptar në institucionet shëndetësore. Mosrespektimi i këtyre normave ligjore edhe një herë dëshmon se kush është kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe se cila është prirja – që shqiptarët të mbeten jashtë institucioneve të bredhin rrugëve ose t’i braktisin vatrat e tyre duke ikur jashtë vendit. Me këto praktika ky pushtet, ku janë të punësuar edhe funksionarët e BDI-së, edhe një herë e dëshmon veten për politikat diskriminuese dhe antishqiptare, që dita-ditës po marrin përmasa të pariparueshme.
Përveç që tërheqim vërejtjen për këtë diskriminim, Lëvizja BESA merr mbi vete përgjegjësinë që, në kohën që do të jetë në pushtet, ta ndërpresë këtë valë antishqiptare dhe t’u japë mundësi avancimi mjekëve shqiptarë.”/Telegrafi/