Përmes një kumtese dërguar Telegrafit Maqedoni, Lëvizja BESA konsideron se ”plani reformues ‘3-6-9’ i prezantuar sot nga kryeministri, Zoran Zaev dhe zëvendës kryeministri, Bujar Osmani është një strategji e kopjuar dhe e ricikluar nga qeveria e mëparshme OBRM-BDI”.
Sipas kësaj partie politike ”kjo strategji tregon se qeveria e Zoran Zaevit, nuk e ka ndërmend të merret seriozisht me çështjet kryesore që tangojnë qytetarët e Maqedonisë, e aq më pak me çështjet që tangojnë qytetarët shqiptarë në Maqedoni”.
Më tej, në kumtesën e Lëvizjes Besa thuhet se ”të prezantosh një projekt me 7 faqe dhe as 7 rreshta të mos ia kushtosh qytetarëve shqiptarë është një nënçmim që deri sot kanë mundur ta bëjnë vetëm Gruevski dhe partnerët e tij.
Lëvizja BESA apelon deri te qeveria LSDM-BDI-Aleanca që të ndërpresë sa më shpejtë këtë qasje të mbrapshtë ndaj problemeve të qytetarëve shqiptarë.
Nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët si pjesë e pushtetit, kërkojmë që të vetëdijësohen dhe të shfrytëzojnë rastin historik që kanë në dorë shqiptarët, e mos të udhëhiqen nga interesat e ngushta personale dhe grupore. Apelojmë të mos bëhen pjesë e mentalitetit politik që po promovon pushteti i ri, e që aspak nuk dallon nga mentaliteti që promovonte pushteti i deridjeshëm. Në të kundërtën edhe ata do t’i konsiderojmë si pjesë, e madje edhe si shtyllë kryesore të politikave të mbrapshta të qeverisë Zaev ndaj shqiptarëve, që fare nuk dallojnë nga fillimet e qeverisë Gruevski”./Telegrafi/