Lëvizja Besa ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimeve, pas mos-vazhdimit të masave anti-krizë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Nga kjo parti thonë se masat e ndërmarra për zbutjen e krizës ekonomike që skaduan në mesnatë dëshmojnë se Qeveria po mundohet të mbajë shtetin “në aparate”.
“Populizmi afatshkurtë po dëmton rëndë ekonominë e vendit dhe fakti që në kohë nuk u vazhduan masat dhe nuk u propozuan hapa të tjerë konkret për zbutjen e krizës ekonomike dëshmon se shteti është para falimentimit dhe se arka e buxhetit është e zbrazur. Qeveria nuk ka asnjë vizion për të zbutur shtrenjtimin e çmimeve që nga produktet bazë deri te energjia elektrike dhe derivatet e naftës. Paratë e qytetarëve menaxhohen nga njerëz të papërgjegjshëm të cilët po varfërojnë për çdo ditë popullin dhe po zhytin shtetin në krizë të thellë”.
“Këtë gjë duhet urgjentisht ta ndalojme dhe fatin e popullit dhe gjeneratave të ardhshme mos të lejojmë të jetë në duart e Qeverisë aktuale, e cila është zhytur në krim dhe korrupsion. Shteti ka nevojë për njerëz të përgjegjshëm që do udhëheqin institucionet ndershëm dhe me transparencë, prandaj mënyra më e mirë për të ndalur këtë menaxhim të keq të financave të vendit duhet të shkohet sa më shpejt në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, thonë nga Lëvizja Besa./Telegrafi/