Lëvizja Besa ka reaguar në lidhje me pretendimet e sotme të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, prej ku thanë se kompania “Pucko Petrol” ka përfituar pasuri të paligjshme.
Nga Lëvizja besa thonë se krimi dhe korrupsioni në RMV ka prekur të gjitha institucionet e shtetit dhe kjo sipas tyre, me lejen e partisë në pushtet BDI.
“Dita ditës skandalet po dalin në shesh, dhe rasti i fundit ka të bëjë me “Pucko Petrol” që përmes skemës kriminale ka përvetësuar mbi 4 milion euro, pronar i të cilës është Ismail Jaoski, deputet i BDI-së dhe njëri nga biznesmenët më të përkëdhelur, përkrahur dhe të mbrojtur nga LSDM-BDI. Skandali është konfirmuar nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ku thuhet: “Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sqaroi se nga ajo skemë më së shumti ka përfituar kompania “Pucko Petrol” dhe pajisjet-pasuria e paluhatshme me shumë gjasa janë shfrytëzuar për përfitime për kompanitë që kanë lidhje me familjen e të dënuarit në rastin “Trust”, Sead Koçan. Janë plot 4 milion euro të qytetarëve tanë që kanë përfunduar në arkën e Pucko Petrol respektivisht në atë të BDI-së”.
“Lëvizja BESA vlerëson se kjo qeveri e korruptuar nuk po lufton për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, por po lufton për arkëtimin e parave të taksapaguesve shqiptar dhe t’i integrojë në arkën e “Pucko Petrol” pastaj të Drin Ahmetit dhe të afërmeve tjerë të liderit të kauzës milionëshe Ahmetit. Andaj, ftojmë dhe inkurajojmë institucionet përkatëse si MPB-në, Policinë Financiare, Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokurorinë përkatëse që të marrin të gjitha hapat e nevojshëm dhe të zbardhin krimin dhe korrupsioni. Këtë ata mund ta bëjnë vetëm me mbështetje të ndërkombëtarëve të cilët tashmë hapur kanë deklaruar se institucionet të cilat duhet ta luftojnë korrupsionin janë të korruptuara përfshi edhe njerëzit e politikës”, thonë nga Lëvizja Besa.