Site icon Telegrafi

Lëvizja Besa: Nuk pranojmë shtetësi maqedonase

Takimi i kryeministrit Zoran Zaev me kreun e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në prag të miratimit të ndryshimeve kushtetuese ka obliguar të parin e organit ekzekutiv që të mbledh ekipin e ekspertëve për të shqyrtuar kërkesat e opozitës shqiptare. Lëvizja Besa mbetet në qëndrimin se deputetët e tyre asnjëherë nuk do të votojnë për shtetësi maqedonase. Madje këtë e konfirmoi edhe vetë deputeti i kësaj partie, Fadil Zendeli. Në këtë drejtim, deputetët opozitar kërkojnë që për shqiptarët, shtetësia të vlejë vetëm “qytetarë i Republikës së Maqedonisë së Veriut” të shkruar në shqip në dokumentet personale. Për këtë, ekipi i ekspertëve juridik të Qeverisë dhe deputetët e Besës do të ulen për të diskutuar modalitetet.

Lidhur me preambulën, jo zyrtarisht Zaev ka theksuar rrezikun e reflektimit negativ brenda subjektit tij dhe partnerëve të koalicionit nga etnitë e tjera. Ndërkaq për diasporën, ku Besa kërkon që të radhiten populli maqedonas, populli shqiptar si dhe popujt tjerë me radhë, Zaev ka shprehur gatishmëri për të gjetur gjuhën e përbashkët. Kategorik kundër është shprehur ndaj potencimit të gjuhës shqipe dhe alfabetit saj latin si gjuhë zyrtare.

Në vazhdën e takimeve pritet që kryeministri të takoj edhe liderin e ASH-së, Ziadin Sela. Ky i fundit bashkë me deputetin Syrija Rashidi kanë propozuar 6 amendamente ndaj propozim-amendamenteve të Qeverisë, apo thënë ndryshe nga dy amendamente për preambulën, zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe diasporën. Ndonëse e paralajmëroi, kryeministri Zaev nuk e ka caktuar ende takimin me Selën, ndërsa nuk jepen detaje nëse dhe kur do të mbahej ky takim.

Deputetët kanë propozuar gjithsej 10 amendamente ndaj propozim-amendamenteve të Qeverisë dhe 2 amendamente ndaj propozim-ligjit kushtetues. Në mesin e tyre janë edhe deputetë e përjashtuar nga OBRM-PDUKM-ja dhe një 1 amendament teknik nga LSDM-ja. Seanca për miratimin e ndryshimeve kushtetuese është thirrur më 9 janar./alsat/

Exit mobile version