Site icon Telegrafi

Lëvizja Besa: Nuk kemi pasur ftesë për të marrë pjesë në grupin punues për Kodin Zgjedhor

“Lëvizja Besa nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në grupin punues për Kodin Zgjedhor dhe gjithashtu nuk është e vërtetë se ministri i Drejtësisë ka kontaktuar me kryetarin e partisë Bilall Kasami”, thonë nga partia Besa.

“Na vjen keq që ministri Nikolla Tupançeski po manipulon opinionin. Kjo dëshmon për mungesën e seriozitetit të qeverisë në qasjen ndaj opozitës. Besa asnjëherë nuk ka refuzuar dialogun, sidomos për një çështje të rëndësishme siç është Kodi Zgjedhor”, tha zëdhënësi i partisë Faruk Avdiu.

Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançeski, në paraqitjen e tij të djeshme në një intervistë, theksoi se shumica e partive politike kanë nominuar përfaqësuesit e tyre në grupin punues të formuar në Ministrinë e Drejtësisë për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, përveç dy partive OBRM-PDUKM dhe Lëvizja Besa.

Afati për emërimin e përfaqësuesve ka skaduar dhe ministri Tupançeski tha se ka pasur biseda joformale me liderët e këtyre dy partive.

Tupançeski shprehu optimizëm se të dyja palët do të propozojnë një përfaqësues, sepse, siç tha, është mënyra më e mirë për t’i artikuluar qëndrimet e tyre dhe përfaqësuesit në grupin punues do të përpiqen të gjejnë zgjidhjen më optimale për rrethanat e Maqedonisë.

“Absolutisht që do të bisedoj me liderët, sepse është ide fillestare, por ideja do të realizohet sepse tashmë është diskutuar me disa persona që duhet ta udhëheqin atë grup punues dhe do të jenë nga blloku jopartiak”, tha Tupançeski, duke theksuar se bëhet fjalë për ekspertë, njerëz jopartiakë.

Exit mobile version