Zëdhënësja e Lëvizjes Besa Lule Qazimi Ameti, sot në konferencë për shtyp ka thënë se ndodhitë e fundit me arsimin në gjuhën shqipe vulosin faktin se BDI ka mision shkatërrimin e arsimit në gjuhën shqipe dhe mbrojtjen e interesave personale.
“Imagjinoni, ministri i Arsimit shqiptar, zëvendësministri po ashtu shqiptar, që të dy kuadro të BDI-së, në Veles ende nuk është hapur paralelja në gjuhën shqipe”, tha ajo.
Ajo shtoi se edhe pse ministrat e BDI-së premtuan se do e zgjidhin këtë çështje, po përfundon gjysmë vjetori i parë dhe ende nuk ka zgjidhje konkrete.
“Ndonëse mësimin në gjuhën shqipe e garanton Kushtetuta, BDI dhe partnerët e saj në Qeveri, ato janë të gatshëm që të shkelin edhe kushtetutën, vetëm që të dëmtohet gjuha shqipe dhe nxënësit shqiptarë. Që shkatërrimi i arsimit të jetë i të gjitha përmasave, Ministrat e BDI-së ia morën kompetencat Komunës së Tetovës për Gjimnazin Kiril Pejcinoviq, e lanë këtë shkollë pa rrymë dhe nxënësit në errësirë dhe pa mësim, por nga ana tjetër nuk guxojnë tua marrin kompetencat kryetarëve të komunave të cilën ndalojnë hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe. Kjo është BDI dhe këta janë edhe partnerët e saj në Qeveri të cilët vetëm po shkatërrojnë arsimin në gjuhën shqipe dhe punojnë vetëm për të përfituar nga tenderët që të pasurohen vetë dhe familjarët e tyre”.
“Por nëse dëshirojnë ta dëshmojnë se nuk është kështu siç po shihet, atëherë kërkojmë që BDI, menjëherë të dorëzojë në Qeveri shkarkimin e funksionarëve të saj të dështuar, ministrin Jeton Shaqiri dhe zëvendës ministrin Agim Nuhiu, pasi nuk kanë aftësi të ushtrojnë detyrën e tyre. Fakt për këtë është se edhe në komunat dhe vendbanimet nga ata vijnë nuk është ndërtuar e rikonstruuar as edhe një objekt arsimor”, thuhet në deklaratën e Lule Qazimi Ameti. /Telegrafi/