Ministri i Punëve të Brendshme Spasovski, sot deklaroi para mediumeve se po mblidhen informata për personin që ngriti flamurin “autochthonous” dhe paralajmëroi se ndaj tij do të ngritën akuza për vepër penale, thuhet në reagimin e sotëm të Lëvizjes Besa.
Nga Besa thonë se nuk janë kundër marrjes masa në mënyrë të shpejtë, për ngjarjet që shkelin Ligjin, por, kur këto aktivitete të shpejta të MPB-së bëhen në mënyrë selektive, kjo na shqetëson, jo vetëm si parti por edhe si popull.
“Në mbrëmjen e koncertit festiv me rastin e ardhjes së Zotit Kurti, dikush mbante në duar flamurin “autochthonous”, në mënyrë tejet private dhe me vetë iniciativë dhe ndaj kësaj po shohim se po merren masa shumë të shpejta, por pyesim ministrin Spasovski dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme:
Përse ky ministër selektiv dhe kjo ministri që ai drejton, nuk u tregua kaq e shpejtë dhe punëtore, të merr masa për zbardhjen e krimeve të Ramiz Merkos, por pritën këtë ta bëjnë miqtë tanë amerikanë?!
A iu duk pak kësaj ministrie dhe ministrit selektiv Spasovski, që nuk lëvizi “menderen” dhe të merr masa ndaj një biznesi pa nam e nishan të blerjes së Soravijas, apo këtë nuk guxon ta bëj nga partneri i tyre i krimit që bashkë qeverisin?!
Përse Ministri Spasovski nuk u tregua kaq i shpejtë ditën e djeshme që të merr masa ndaj familjarëve të zëvendësit të tij që nxorrën armën dhe gjuajtën në Kodër të Diellit, dhe identiteti i tyre u humb shpejtë e shpejtë?!
Përse ky Ministër nuk merr masa ndaj atyre prokurorëve të kapur që tani e klasifikojnë mbajtjen në dorë të flamurit autoktonus nga një qytetar i zakonshëm si vepër penale, e nuk morën masa ndaj kriminelëve që për çdo ditë bëjnë keqpërdorime me tenderët qeveritar?! Apo i ndajnë bashkë me kriminelët që bashkë qeverisni dhe nuk guxoni të hapni gojën?!”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.
Nga atje thonë se e gjithë kjo e vërteton qartë faktin se pse institucionet e sigurisë dhe drejtësisë gëzojnë vetëm 2% të besueshmërisë qytetare./Telegrafi/