Site icon Telegrafi

Lëvizja Besa: Mërgata fshihet nga lista

Lëvizja Besa ka vazhduar me reagimet rreth listave zgjedhore në Maqedoni. Ata në komunikatën e dërguar tek Telegrafi Maqedoni sot kanë thënë se Qeveria aktuale “shpërblen” mërgatën shqiptare me “pastrim nga lista”.

”Me këtë akt pushteti aktual OBRM-PDUKM dhe BDI (PDSH), së bashku me LSDM-në opozitare, përpos tendencës për reduktimin e votuesve shqiptarë në përgjithësi, godet drejtpërdrejt kategorinë e njerëzve që vazhdimisht kontribuojnë për vendin, respektivisht mërgimtarët tanë, që me remitancat e tyre ndihmojnë dukshëm në ekonominë e Maqedonisë. Për këtë edhe vetë guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Dimitar Bogov, ka pohuar se afër 20 % e Prodhimit Bruto Vendor, pra rreth 1.6 miliardë euro, mbushet nga remitancat, duke konfirmuar tezën se pikërisht remitancat janë ato që e mbajnë gjallë ekonominë e Maqedonisë. Thënë më konkretisht, mërgimtarët shqiptarë janë ata që e shpëtojnë Maqedoninë nga falimentimi, duke sjellë mbi 1 miliard euro për çdo vit. Gjithashtu remitancat e mërgimtarëve ndihmojnë në rritjen e devizave në qarkullim, duke stabilizuar rezervat devizore dhe luajnë rol kryesor në zbutjen e deficitit tregtar, madje pothuajse e mbulojnë këtë deficit i cili vazhdimisht shënon rritje. Këtu nuk guxojmë ta harrojmë edhe faktin se remitancat paraqesin edhe burimin e vetëm të financave për shumë familje dhe ndikojnë në zbutjen e varfërisë së skajshme që mbretëron në vend.

Edhe përkundër kësaj, qeveria aktuale e çiftit OBRM-PDUKM dheBDI, si kundërshpërblim (peshqesh) për kontributin e tyre, mërgimtarët i largon nga listat e votimit dhe i bën “qytetarë ilegalë” në shtëpinë e tyre. Këtë që ua bën shqiptarëve, Qeveria OBRM-PDUKM dhe BDI (e mbështetur edhe nga PDSH e LSDM), është manifest i social-fashizmit shtetëror dhe mendësisë sllavo-maqedonase se shqiptarët në Maqedoni mund të qëndrojnë si shërbëtorë që sjellin ujemin vjetor, normal me aminin e vasalëve shqiptarë në pushtet.

Duke parë këtë shkallë të lartë të mosmirënjohjes dhe diskriminimit me trajta racizmi, pyesim se deri kur Qeveria e Maqedonisë do t’i konsiderojë mërgimtarët tanë vetëm kategori shfrytëzimi?
Duke mësuar fatkeqësisht nga leksionet e këqija që ky pushtet ua jep mërgimtarëve tanë, Lëvizja BESA deklaron se assesi dhe në asnjë variant nuk do të lejojë nënçmimin e mërgatës shqiptare, ndërsa do të angazhohet fuqishëm që ta parandalojë këtë tendencë për fshirje të tyre nga listat e votimit. Ne nuk do të lejojmë që të nëpërkëmbet kontributi i vazhdueshëm i mërgimtarëve tanë dhe ata të llogariten shërbëtorë në shtëpinë e tyre. ” thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa./Telegrafi/

Exit mobile version