Site icon Telegrafi

Lëvizja BESA: KShZ ka dështuar, po gatuhet manipulim i madh zgjedhor

Pas publikimit të djeshëm të votuesve që janë fshirë nga lista zgjedhore, me pretekstin se ata nuk kanë qëndrim të përhershëm në Maqedoni ose që kanë dalë të tillë për shkak të të dhënave të kryqëzuara, ndërsa realiteti është se në atë listë ka qindra votues që disa vite me radhë kanë votuar në secilën palë zgjedhje dhe disa vite nuk kanë dalë jashtë vendit, Lëvizja BESA gjen rastin që të reagojë ndaj kësaj shkeljeje flagrante të të drejtave themelore njerëzore, kushtetuese dhe politike të qytetarëve në Maqedoni, transmeton Telegrafi Maqedoni,

“Fakti që vetëm dje janë paraqitur qindra njerëz që kanë dëshmuar se ata kanë votuar në zgjedhjet e fundit dhe kurrë nuk kanë qenë në mërgim, flet se metodologjia e Komisionit Shtetëror Zgjedhor për “pastrimin” e listës zgjedhore ka dështuar. Kjo është shenjë se KShZ ka pasur tendencë në “pastrimin” e votuesve “të padëshirueshëm” ose të votuesve që, sipas zyrtarëve partiakë të KShZ, mund të mos jenë votues të partive të dëshirueshme për ata”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Ndërkaq po kaq shqetësuese sipas tyre,  është se shumica e votuesve që janë fshirë nga lista zgjedhore dhe janë kualifikuar si “mërgimtarë”, megjithëse shumë vite nuk kanë dalë nga kufiri, janë familjarë të zyrtarëve dhe anëtarëve të Lëvizjes Besa.

“Andaj ne në këtë veprim lexojmë tendencën e partisë shqipfolëse në pushtet që t’i fshijë votuesit që ajo e di se nuk do ta votojnë atë. Mjafton fakti se familjarë të ngushtë të Kryetarit dhe Nënkryetarit të BESËS janë fshirë nga lista ose mjafton të shihet se sa votues me mbiemrin e Sekretarit Gjeneral të Besa “Gashi” janë fshirë nga lista e votimit, si edhe shumë anëtarë e familjarë të tjerë të Lëvizjes, që të kuptohet tendenca e partisë në pushtet.

Kur jemi këtu, kur dy partitë shqiptare tashmë funksionojnë si dy degë shqiptare të OBRM-PDUKM, pyetja është edhe për LSDM: ku u tretën 200.000 votuesit fantazmë, për të cilët fliste ajo, dhe a thua vallë ajo i humbi zgjedhjet për shkak të këtyre 40.000 votuesve shqiptarë, që sot fshihen nga lista zgjedhore? “, kanë reaguar nga Lëvizja Besa.

Të gjendur në këtë situatë, kur KShZ shihet se ka zgjedhur metodologji tendencioze dhe me plan për të fshirë votuesit shqiptarë – nën pretekstin se janë mërgimtarë, ndërsa ka fshirë shumicën e votuesve që e di se nuk janë votues të partisë në pushtet, Lëvizja Besa deklaron se në Maqedoni po gatuhet një mashtrim i ri zgjedhor.

“Duke parë këtë gjendje, si dhe faktin se po planifikohet që të dëmtohet pikërisht opozita shqiptare, ne deklarojmë se jemi duke e shqyrtuar seriozisht bojkotin e këtyre zgjedhjeve. Ne nuk do të lejojmë që, për shkak të manisë për pushtet të partisë shqiptare të kësaj Qeverie, këtë ta vuajnë shqiptarët e Maqedonisë. Ne nuk do ta njohim procesin zgjedhor që manipulon vullnetin e shqiptarëve.”, qëndron në reagimin e Lëvizjes Besa./Telegrafi/

 

Exit mobile version