Site icon Telegrafi

Lëvizja BESA konsideron se pengohet arsimi shqip në Maqedoni

Në një reagim të Lëvizjes BESA dërguar Telegrafit Maqedoni thuhet se ”edhe 15 ditë pas fillimit të vitit shkollor disa shkolla me mësim në gjuhën shqipe ende nuk kanë filluar me punë. Dhe, gjithë kjo ndodhë si pasojë e neglizhencës së Ministrisë së Arsimit, e cila tani udhëhiqet nga ministri shqiptar nga radhët e BDI-së.”

Kjo lëvizje mes tjerash deklaron se ”si pasojë e kushteve të vështira mësimi nuk ka filluar të zhvillohet në disa shkolla të Komunës së Likovës, siç është shkolla fillore e fshatit Opajë, në të cilën zhvillohen punime për rikonstruimin e objektit shkollor, si edhe shkolla e fshatit Mateç.

Shkaku i renovimit të shkollës deri më 13 shtator mësimi nuk është zhvilluar edhe në shkollën e mesme ekonomike të Tetovës, ndërsa si pasojë e mosorganizimit të transportit të nxënësve, mësimi gjithashtu nuk zhvillohet edhe në disa fshatra të Komunës së Dollnenit.

Nisur nga kjo, Lëvizja BESA e pyet Ministrin e Arsimit dhe drejtuesit e Komunës së Likovës dhe të komunave të tjera që nuk mundësojnë mbajtjen e mësimit se a e dinë ata se mësimi fillon në 1 shtator dhe përse deri atëherë nuk i kanë kryer punimet e nevojshme apo pse nuk kanë gjetur zgjidhje tjetër, që fëmijët të mos humbin nga procesi mësimor?

Meqë detyrim i Komunës dhe Ministrisë së Arsimit është organizimi i transportit të nxënësve që jetojnë më larg se 2 kilometra nga objekti i shkollës, shtrohet pyetja se cilat janë arsyet që nxënësve nuk u sigurohet transporti, ndërsa nxënësve u mohohet e drejta për mësim? Nëse ata vazhdojnë të flenë, ky fenomen do të jetë edhe më i shprehur gjatë stinës së dimrit.

Për këtë arsye i ftojmë të gjithë ata që kanë marrë përsipër të menaxhojnë me arsimin në Maqedoni, qoftë në nivel shtetëror ose edhe në nivel lokal, t’i kryejnë detyrimet e tyre me përgjegjësi dhe, me veprimet e tyre, të mos e dëmtojnë procesin edukativo-arsimor.”(sic)/Telegrafi/

Exit mobile version