Site icon Telegrafi

Lëvizja Besa kërkon përfaqësues në përbërjen e re të KSHZ-së (Video)

Lëvizja Besa do të kërkojë përfaqësim me një anëtarë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, menjëherë pas fillimit të punës së Kuvendit. Nga kjo parti vlerësojnë se kjo është e drejtë e tyre ligjore që vjen nga rezultatet e zgjedhjeve dhe anëtari i tyre do të zëvendësojë atë të PDSH-së Bedredin Ibrahimi.

“Meqë ligji aktual thotë se katër partitë që kanë pasur më shumë vota në zgjedhjet e fundit duhet të kenë nga një përfaqësues në KSHZ, pas konstituimit të Kuvendit, lëvizja Besa do të kërkojë që z. Bedredin Ibrahimi të zëvendësohet me një përfaqësues të Lëvizjes Besa. Ende nuk kemi filluar me analiza konkrete. Fillimisht duhet të konstituohet parlamenti kurse pjesa e përcaktimi besoj është pjesa më pak e rëndësishme në kërë rast”, deklaroi Orhan Murtezani.

Mirëpo Kodi Zgjedhor, pas Marrëveshjes së Përzhinës ka pësuar disa ndryshime. Për dallim nga zgjedhjet e kaluara parlamentare kur përbërja e KSHZ-së ndryshonte pas çdo cikli zgjedhor, varësisht votave që partitë fitonin në zgjedhje, anëtarët aktual të KSHZ-së kanë mandat 5 vjeçar. Sipas profesorit Temelko Risteski, mandati i tyre mund të ndërpritet vetëm në rast se ndonjëri nga anëtarët nuk përmbush kushtet e parapara me Kodin Zgjedhor.

Megjithatë pas verifikimit të fundit të mandateve të anëtarëve të KSHZ-së, Bedredin Ibrahimi i deleguar nga PDSH-ja dhe Violeta Duma e deleguar nga LSDM-ja, kanë përmbushur moshën për dalja në pension. Alsat jozyrtarisht mëson se Komisioni për zgjedhjeve dhe emërime në Kuvend ka hedhur poshtë kërkesat e tyre për zgjatje të mandatit edhe 2 vite të tjera por Kuvendi nuk ka arritur të miratojë vendimin e Komisionit me 2/3 e votave, gjegjësisht me 81 deputetë.

Çështja ka mbetur pezull. Ligji i mundëson Lëvizjes Besa të ketë anëtarë të saj në Këshillat Zgjedhor, të drejtë që nuk e ka më PDSH-ja. Edhepse të zgjedhur për zbatim të zgjedhjeve parlamentare që dolën nga Marrëveshja e Përzhinës, kryetari Aleksandër Çiçakovski, nënkryetari Rexhep Prekopuca dhe anëtari i pavarur Atanas Urumov, edhepse nuk janë të deleguar nga asnjë parti politike, mbeten në përbërjen e KSHZ-së në afat prej 5 vitesh./Telegrafi/

Exit mobile version