Lëvizja Besa si parti opozitare me një njoftim të dërguar Telegrafit në Maqedoni i ka porositur dy partitë politike qeveritare BDI dhe OBRM-PDUKM që të intensifikojnë punët për anëtarësim në NATO.
”Edhe pse partnerët qeveritarë deklarativisht flasin për integrimet euro-atlantike, veprimet e tyre dita-ditës na largojnë edhe më shumë nga kjo rrugë. Siç e dimë, lideri i BDI-së e pranoi një koalicion qeveritar bllanko (pa marrëveshje), pas asnjë kërkesë shqiptare, ndërsa këtë e justifikoi me inkuadrimin e vendit në NATO pas gjashtë muaj qeverisje. Megjithatë, kjo gjë nuk ndodhi as atëherë e as sot dhe kjo e la të zhgënjyer shumicën dërmuese të popullatës në vend.
”Por, edhe pse padroni i tyre (OBRM-PDUKM), përmes megafonëve të saj, propagandonte se pengesa e vetme për mosintegrim është kontesti i emrit me Greqinë, në komunikatën e lëshuar pas samitit të NATO-s, të mbajtur në korrik 2016 në Varshavë, në pjesën për Maqedoninë kuptohet se nuk është pikërisht kështu. Në të vërtetë, binomi qeveritar ka dështuar me implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit (për çka ka qenë kujdestare BDI-ja), ndërsa shqetësuese janë edhe zhvillimet e fundit politike që kanë shkaktuar largimin e vendit nga vlerat e NATO-s dhe nuk kanë kontribuar për zgjidhje të qëndrueshme të krizës politike.”
”Aty vihet re se elitat politike nuk shfaqin gatishmëri dhe kapacitete të mjaftueshme për të realizuar reformat e nevojshme të përmendura në Raportin e Pribes, ndërsa në atë komunikatë janë adresuar edhe problemet me forcimin dhe sundimin e ligjit, të lirisë së mediave dhe pavarësisë së gjyqësorit. Po ashtu aty vihet re edhe mungesa e vullnetit për dialog që të realizohen zgjedhje të besueshme dhe transparente, që janë vlera të patjetërsueshme për një vend që aspiron integrimin.” (sic) shkruhet në komunikatën e Lëvizjes Besa./Telegrafi/