Lëvizja Besa-Gostivar, në një komunikatë për Telegrafi Maqedoni ka reaguar ndaj Komunës së Gostivarit në lidhje me vendimin për rënimin e objektit të shkollës fillore ‘Ismail Qemali’.
‘Lëvizja Besa – Gostivar pyet publikisht Kryetarin e Komunës, Nevzat Bejta, dhe drejtorin e Shkollës Fillore “Ismail Qemali”, Bejtullah Zaimi, se kur dhe në çfarë mënyre u mor vendimi për rrënimin e objektit të vjetër të kësaj shkolle?
Deri kur faqja zyrtare e Komunës së Gostivarit do të shërbejë vetëm për propaganda politike të Kryetarit dhe nuk do ta informojë opinionin për mbledhjen e Këshillit Komunal (nëse eventualisht është mbajtur mbledhje) dhe për fatin e objektit të rrënuar. Kur rrënimi ndodhë në ditë pushimi (20.08.2016), kjo na e shton drojën se përsëri përgatitet një krim ndaj një objekti publik, tash për legalizimin e objektit të egër në afërsi të shkollës.
Nëse Komuna e Gostivarit dhe personat e sipërpërmendur nuk e shohin të arsyeshme të përgjigjen as pas këtij reagimi, lirisht do të mund të konstatojmë se Gostivari po bëhet një atdhe i krimit, në të cilin nuk vlejnë ligjet, por vlen forca e mafiozëve që edhe ashtu veten e matin me karatë e jo me transparencë dhe përgjegjësi politike.
Lëvizja Besa – Gostivar do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje dhe do të kërkoj llogari, ndërsa në kohën që do ta marrë pushtetin komunal, për këtë dhe çështje të ngjashme të abuzimit me pushtetin do të ngrejë procedura që këto vendime të verifikohen para organeve përkatëse’, thuhet në komunikatën e Lëvizjes. /Telegrafi/