Site icon Telegrafi

Lëvizja Besa e Afrim Gashit do të udhëheq me Ministrinë e Kulturës (Video)

Lëvizja Besa e cila udhëhiqet nga Afrim Gashi sot ka mbajtur mbledhje të Kuvendit Qendror në të cilin vendosi që të bëhet pjesë e Qeverisë së Zaevit dhe kështu pranoi të udhëheq me Ministrinë e Kulturës, e cila deri tani është drejtuar nga Robert Allagjozovski i LSDM-së.

“Neve na është besuar të udhëheqim me resorin e kulturës dhe kjo për neve është nder dhe mirënjohje, sepse një vend që viteve të fundit u betonizua ka nevojë për t’u çliruar dhe për të reflektuar vlera të njëmendta kulturore e shpirtërore, që – për fat të keq – deri tash ose janë mbuluar ose janë harruar”, tha në konferencë për shtyp, Afrim Gashi, njofton Telegrafi Maqedoni.

Ai shtoi se për emrin e ministrit dhe detajet tjera nga mbledhja e sotme e Kuvendit Qendror të Lëvizjes Besa, do të publikohen pasi të vijnë propozimet nga strukturat e partisë.

Përndryshe, gjatë ditës së sotme edhe PDSH-ja njoftoi se do të jetë pjesë e Qeverisë së Zaevit, ku do të udhëheq me një ministri pa resor dhe do të ketë një zv.ministër./Telegrafi/

Exit mobile version