Edhe 1 Maji i vitit 2018, për Lëvizjen Besa e gjen Maqedoninë në gjendjen ku shteti vazhdon të jetë punëdhënësi më i madh, duke e dëmtuar kështu skajshmërisht biznesin privat, duke i dekurajuar të rinjtë në ndërmarrjen e iniciativave sipërmarrëse dhe duke e dekurajuar punësimin e tyre në këtë sektor.
“Në kohën kur vendi ynë shënon rekordin e papunësisë dhe rrogat më të ulëta në rajon, implementimi i tatimit progresiv, që është paralajmëruar nga qeveria, vetëm se do ta rriste papunësinë e të rinjve, e cila në Maqedoni është sa dyfishi i mesatares evropiane, ndërsa – në anën tjetër – do ta stimulonte emigrimin e kësaj kategorie të qytetarëve tanë”, thonë nga Lëvizja Besa.
Ata më tej shtojnë se edhe mungesa e shtetit ligjor në vend të ekonomisë së tregut ka krijuar një mjedis të kontaminuar ekonomik, i cili më së shumti shkon në dëm të punëtorëve.
“Për t’u theksuar është edhe shkalla e lartë e vdekshmërisë së punëtorëve në vendin e punës, që flet shumë për kushtet në të cilat punojnë shumica e punëtorëve. Kjo gjendje, nga njëra anë, i vendos punëtorët para eksploatimit, ndërsa – nga ana tjetër – shteti ushtron mbi ata presion fiskal, duke provuar rritjen e tatimeve”, shtojnë nga Lëvizja Besa.
Ata më tej theksojnë se krijimi i kushteve dhe rrethanave lehtësuese, ku ata që janë të aftë dhe të gjindshëm stimulohen të krijojnë inovacione dhe të ndërmarrin iniciativa sipërmarrëse, është baza më e shëndoshë që mund të na shpie drejt suksesit si shoqëri dhe si shtet./Telegrafi/