Site icon Telegrafi

Lëvizja BESA: Dy provokime të rënda për kumanovarët

Ali Ahmeti bashkë me Nikola Gruevskin që moti kanë filluar ta injorojnë dhe tallen me shqiptarët e Kumanovës. Siç dihet, Ahmeti që nga vrasja e Komandant Shqiponjës asnjëherë nuk ka qenë ti vizitojë më banorët e Lagjes së Trimave, por as qytetin e Kumanovës, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Sikur të mos ishte boll kjo, provokimi i fundit i Ali Ahmetit dhe i pushtetit të tij erdhi këto ditë me lirimin e vrasësit të komandant Shqiponjës, që ndodhi pikërisht në shënimin e përvjetorit të vrasjes së tij. E quajmë provokim të rëndë për shqiptarët e Kumanovës lirimin e vrasësit të tij (ndryshe, mik i afërt i Ahmetit), çfarëdo që të kenë arsyet për këtë, sepse Komandant Shqiponja ka qenë dhe do mbetet emblemë e UÇK për Kumanovën dhe jo Ali Ahmeti. Ishte Komandant Shqiponja ai i cili gjithmonë gjendej në mesin e shqiptarëve të këtushëm dhe jo Ali Ahmeti, i cili si duket nuk u ngop kurrë me dëmin që ua bëri kumanovarëve, andaj u kujdes që këtë ta thellojë edhe me ngjarjen e kobshme të 9-10 majit të vitit 2015. Dhe, për fat të keq, ai përsëri vazhdon me provokimet.

Për të qenë ironia edhe më e madhe, edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, që është nga radhët e BDI-së, po sillet njësoj si shefi i tij, Ali Ahmeti. Ai akoma nuk dha asnjë shpjegim dhe përgjigje lidhur me rrahjen dhe thyerjen e këmbës së Sevdail Miftarit (nga grupi i akuzuar në rastin “Lagjja e Trimave”) nga ana e njësitit special policor menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore, ku Sevdaili kishte reaguar pasi e kishte marrë vesh të vërtetën nga ana e dëshmitarit të mbrojtur për kapjen e Mirsad Ndrecajt.

Duke u bazuar në këto fakte, e ngremë zërin e arsyes dhe tërheqim vërejtjen se partia shqiptare në pushtet po e mbush kupën me dëmet që ua shkakton shqiptarëve, veçmas atyre të Kumanovës. Me këtë rast nuk mund të mos pyesim se deri ku e ka ndër mend kjo parti ta denigrojë dhe poshtërojë dinjitetin e shqiptarit të Maqedonisë?”

Për BESËN, ashtu siç e kemi thënë disa herë, mbetet me interes mbrojtja e jetës dhe dinjitetit të secilit qytetar të Maqedonisë, ndërsa kujdesi për bashkëqytetarët e Kumanovës – që realisht janë më të pambrojturit, është bërë detyrimi jonë më i lartë patriotik dhe qytetar.”, porosisin nga kjo parti./Telegrafi/

 

Exit mobile version