Koalicioni “Aleancë me Besë” ka dorëzuar 86 ankesa në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, për parregullsi zgjedhore në Komunën e Çairit.
Emat Mehmeti në konferencë për shtyp tha se në çdo vendvotim nuk ka pasur zgjedhje por vjedhje. Ai i bëri thirrje KSHZ-së që të shqyrtojë ankesat dhe të vendosë me drejtësi, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Sot në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve i dorëzuam 86 ankesa për procesin zgjedhor në Komunën e Çairit. Vetë ky numër flet se për çfarë procesi zgjedhor jokorrekt mund të flasim në këtë komunë. Ashtu siç deklaruan edhe zyrtarët e OSBE-ODIHR- it, që nga shkelja flagrante që bëri Kryeministri i vendit, duke nëpërkëmbur vullnetin politik të qytetarëve shqiptarë në komunat shqiptare, por edhe abuzimin që bëri ministri i Punëve të Brendshme, duke i përdorur zyrtarët policorë në favor të kandidatëve të LSDM-BDI- së në Çair dhe gjithandej në komunat ku garonin ata, gjithkund u pa se këtu nuk kemi pasur zgjedhje, por vetëm vjedhje”, tha Mehmeti.
Ai gjithashtu ju bëri thirrje aktivistëve të tyre të jenë të qetë, pasi siç tha, ata do t’i ndjekin gjitha procedurat dhe nuk do të lënë pa përdorë asnjë mënyrë deri në përmbushjen e drejtësisë./Telegrafi/